Kryeministri Edi Rama po jep një mesazh për qytetarët lidhur me hetimin që po zhvillohet për ish-drejtoreshën e SHISH Vlora Hysenin.
“Pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e SHISH, kërkova një adresim të menjëhershëm. Ishte pa diskutim një masë e skajshme, por të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni kyç për shtetin. Çdo dyshim i arsyeshëm duhet të hetohet deri në fund, çdo akuzë duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të parashikuar dhe të rregullt. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës për cilindo që ka imunitet parlamentar kundërshtohet vetëm në gjykatë.
Këto pika ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Respekti për pavarësinë nuk do të thotë heshtje dhe kur një shqetësim parimor shfaqet. Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit të dosjes, një institucion u ekspozua ndaj potencialit për një dëm të madh që duhej të ishte parandaluar. U lejua që të dhënat e dosjes të vërshonin nëpër kanale dhe tezga mediatike përpara se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre, pa asnjë sukses.
Ky nuk është problem i një pushteti të pavarur, është i krejt shtetit. Prandaj, kjo qasje e lëshuar si pa kujdes i ka lënë pa fjalë edhe partnerët tanë. Nuk është me siguri hera e parë që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës që institucioni i SHISH bëhet target ndërkombëtar e kombëtar thashethemesh, për shkak të mosmarrjes së asnjë prej atyre masave që shtetet marrin në një rast të tillë”, tha Rama.
Kryeministri tha se hetimi që po zhvillon SPAK ndaj Vlora Hysenit është një çështje private e kësaj të fundit me drejtësinë.
“ Ky problem gjithnjë e më shqetësues, që nis te paligjshmëria brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, poshtëruar dhe për të dënuar njeriun përpara se ta dënojë gjykata, nuk mund të anashkalohet. Pavarësia e drejtësisë nuk mund të shfaqet si pavarësi nga Kushtetuta, si papërgjegjshmëri ndaj ligjit dhe si shpërfillje ndaj etikës. Prokuroria ka të drejtën të hetojë, gjykata ka të drejtën të gjykojë, media të zbulojë informacion, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit dhe, jo më pastaj, ta dehumanizojë botërisht.
Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, dhe kjo e ish-drejtuese së SHISH është çështje individuale mes saj dhe drejtësisë. Tani kam ende për të thënë mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi. Si edhe këtë herë, u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë kundër qeverisë dhe kundër meje personalisht me referencë korrupsionin. Të dashur zgjedhës, pavarësisht bindjeve dhe kahjes së votës, fakti që drejtësia prek njerëz me funksione të larta nuk provon se na mbyti korrupsioni. Përkundrazi, fakti se në episodet e këtij kapitulli të ri, hetimet e pavarura u hapin llogari me drejtësinë të veshur apo të lidhur me pushtetin, nuk provon që shumica qeverisëse është e korruptuar”, tha Rama.
Kujtojmë se më 22 shtator GJKKO me kërkesë të SPAK, lëshoi urdhër për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga detyra”, për tashmë ish-drejtoreshën e SHIH Vlora Hyseni. Kjo e fundit akuzohet për veprat penale “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit” në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
Referuar SPAK, Hyseni ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin, gjatë kohës që ky i fundit ishte dhe i shpallur në kërkim. Agasi u arrestua më 26 gusht i dyshuar si kreu një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t.
Nga OKB Rama kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Vlora Hysenit ndërsa kompetencat e drejtimit të SHISH ia kaloi Elvis Lilës.
Rasti i Hysenit mund të konsiderohet si një prej skandaleve më të rënda që kanë prekur sigurinë kombëtare. Vetë SPAK e thekson se drejtoresha e SHISH ka shërbyer në ndihmë të krimit të organizuar.





