Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, reagoi ndaj deklaratave të sotme të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai foli sikur sapo ishte dënuar nga drejtësia.
Shehaj deklaroi se shqetësimi i Ramës lidhet me veprimet e drejtësisë ndaj njerëzve të afërt.
“Sot Edi Rama foli sikur sapo ishte dënuar nga drejtësia. Në fakt, është i shqetësuar. Është i shqetësuar sepse po e shikon që drejtësia ka shkuar te të gjithë njerëzit e tij më të afërt dhe mbase duket që do të ketë ndonjë informacion, që ne nuk dimë”, deklaroi Shehaj.
Ai iu referua rasteve të kryeministrave të akuzuar apo të dënuar në vende të tjera të Europës Lindore, duke parashikuar se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri.
“Por një gjë është e sigurt: ashtu si në vende të ngjashme me Shqipërinë, të Lindjes së Europës, kanë arrestuar dhe kanë akuzuar dhe kanë dënuar kryeministra, e njëjta gjë do të ndodhë në Shqipëri. Kjo ndodhi në Rumani, kjo ndodhi në Kroaci, në Slloveni dhe në shumë vende të tjera. Dhe në Shqipëri do të ndodhë e njëjta gjë”, tha Shehaj.
“Kjo është arsyeja pse Edi Rama është shumë i shqetësuar, se po shikon ngjashmërinë me gjithçka që ka ndodhur në këto vende. Dhe frika e tij është dalja e tij para drejtësisë”, përfundoi ai.





