Kënga “Mora fjalë”, një prej këngëve më të njohura në Kosovë dhe mbarë shqiptarinë, është larguar nga platformat online pas një kontesti lidhur me të drejtat e autorit.
Bëhet fjalë për versionin origjinal të këngës, të interpretuar nga Shkurte Fejza, ndërsa autor i tekstit dhe kompozimit është Naim Gjoshi.
Përmes zyrës ligjore “NewWay Consulting”, Gjoshi ka konfirmuar për KosovaPress se ka kërkuar vetë largimin e këngës nga kanalet zyrtare dhe platformat online.
“NewWay Consulting”, në cilësinë e përfaqësuesit ekskluziv të Naim Gjoshit për mbrojtjen e të drejtave të tij mbi tekstet dhe kompozimet, ka bërë të ditur se çdo publikim apo shpërndarje e veprave të tij pa autorizim në YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo platforma të tjera konsiderohet përdorim i paautorizuar.
Sipas zyrës ligjore, të gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë përdorimin e këngës duhet të marrin lejen përkatëse nga autori, si dhe të adresojnë përdorimin e deritanishëm pranë zyrës ligjore.
“Fakti që një këngë gjendet në internet nuk do të thotë se është pa pronar apo e lirë për t’u përdorur”, thuhet në deklaratën e “NewWay Consulting”.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se masat e ndërmarra nuk kanë për qëllim denigrimin e interpretuesve, por respektimin e të drejtave të autorit dhe të veprës së Naim Gjoshit.
“Veprat kanë autor. Të drejtat kanë zotërues. Dhe ato duhet të respektohen”, përfundon deklarata.
Ndërkohë, KosovaPress ka kontaktuar edhe këngëtaren Shkurte Fejza, e cila e bëri të njohur këngën, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu, media ka tentuar të kontaktojë edhe Qazim Bekën, këngëtarin që e interpretoi i pari këngën që më vonë do të shndërrohej në një prej këngëve më frymëzuese për shqiptarët. Fillimisht, ajo ishte publikuar me titullin “Çohu Adem”.





