Gjykata e Lartë e Indisë ka kërkuar që të garantohet përgjegjësia institucionale lidhur me një valë të fundit rastesh përdhunimi në kryeqytetin e vendit dhe në zonat përreth, duke vlerësuar se ato pasqyrojnë një “dështim të zbatimit të ligjit”, raportojnë mediat lokale.
Qindra studentë protestuan javën e kaluar në Delhi, duke kërkuar masa më të forta për sigurinë e grave, pasi një adoleshente deklaroi se ishte viktimë e një përdhunimi në grup nga tre burra në një park të qytetit.
Muajin e kaluar, një 17-vjeçare dyshohet se u përdhunua në grup brenda një autobusi në lëvizje nga drejtuesi i mjetit dhe fatorinoja, raportuan mediat lokale.
Gjykata: Hapësirat publike nuk duhet të kthehen në zona me rrezik të lartë
Gjykata e Lartë deklaroi se hapësirat publike, përfshirë parqet dhe autobusët, nuk duhet të shndërrohen në zona me “rrezik të lartë” për shkak të ndriçimit të pamjaftueshëm, mbikëqyrjes së dobët apo mungesës së shërbimeve të tjera bazë.
Sipas faqes së specializuar për çështjet ligjore Live Law, gjykata theksoi nevojën për të përcaktuar qartë përgjegjësinë institucionale për situatën.
Ndërkohë, sipas Bar and Bench, Gjykata e Lartë i ka kërkuar administratës së saj të paraqesë një kërkesë për shqyrtimin e çështjes në interes të publikut, në mënyrë që ajo të merret në shqyrtim nga gjykata.
Mbi 80 raste përdhunimi raportohen çdo ditë
Dhuna seksuale mbetet një problem serioz në Indi. Sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Regjistrimit të Krimeve, më shumë se 80 raste përdhunimi raportohen çdo ditë në polici.
Kreu i qeverisjes lokale të Delhi-t, Rika Gupta, deklaroi javën e kaluar në një televizion se kishte pasur mangësi dhe u zotua të forcojë masat e sigurisë.
Ndërkohë, Policia e Delhi-t njoftoi se ka rritur “praninë e dukshme policore” dhe ka intensifikuar patrullimet në zona të ndryshme të kryeqytetit.





