Pentagoni ka deklasifikuar 71 dosje të reja që lidhen me fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), duke publikuar dokumente, video dhe dëshmi të rasteve misterioze të vëzhguara nga personel ushtarak amerikan.

Mes materialeve të publikuara janë dokumente që lidhen me një program sekret ushtarak të zhvilluar nga viti 2008 deri në 2012, i njohur si AAWSAP. Programi kishte në fokus studimin e teknologjive të avancuara hapësinore, përfshirë koncepte teorike si “wormholes”, antigraviteti, motorët e deformimit të hapësirë-kohës dhe manipulimi i hapësirë-kohës.

Në kuadër të këtij programi u përgatitën 37 dokumente kërkimore, me synimin për të analizuar mundësinë e zhvillimit të këtyre teknologjive në të ardhmen. Pentagoni ka theksuar se këto dokumente nuk duhet të konsiderohen si konfirmim i ekzistencës së teknologjive jashtëtokësore.

Dokumentet përmbajnë edhe raportime për objekte misterioze të vëzhguara në Lindjen e Mesme. Një prej tyre përshkruhet si një objekt rreth një ose dy metra i madh, që lëvizte me shpejtësi nga 128 deri në 289 kilometra në orë.

Një tjetër rast lidhet me gjashtë objekte sferike dhe ndriçuese që, sipas dëshmitarëve, ndryshonin shpesh drejtim dhe mund të arrinin shpejtësi mbi 700 kilometra në orë.

Në dosje përmenden gjithashtu sfera portokalli dhe të kuqe që shfaqeshin në qiell dhe lëviznin në formacione të pazakonta. Disa prej këtyre rasteve ende nuk kanë marrë një shpjegim përfundimtar.

Megjithatë, fakti që një objekt klasifikohet si “i paidentifikuar” nuk do të thotë se është provuar të jetë me origjinë jashtëtokësore. Autoritetet amerikane kanë shpjeguar se një pjesë e madhe e rasteve të raportuara si UFO janë identifikuar më vonë si balona, dronë, zogj, fenomene atmosferike ose efekte të shkaktuara nga sensorët.

Publikimi i këtyre 71 dosjeve është pjesë e procesit të deklasifikimit të materialeve amerikane mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara, ndërsa disa prej rasteve vazhdojnë të mbeten objekt hetimi.