Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, Bardhi bën me dije se gjatë takimit kanë diskutuar situatën politike në vend, ndikimin e krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore, mungesën e garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për proceset e Reformës Territoriale dhe Reformës Zgjedhore, të cilat, po zhvillohen pa konsensus dhe pa gjithëpërfshirje.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, ai shprehu dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mbi bazën e meritës dhe zbatimit të reformave të qëndrueshme.

NJOFTIM PËR SHTYP

Mikprita sot ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, znj. Marleen Monster, me të cilën diskutuam për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe vijimin e bashkëpunimit ndërmjet Grupit Parlamentar të PD-së dhe Ambasadës Holandeze në Tiranë.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mbi bazën e meritës dhe zbatimit të reformave të qëndrueshme.

Gjatë takimit ndava shqetësimet tona për situatën politike në vend, ndikimin e krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore, mungesën e garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për proceset e Reformës Territoriale dhe Reformës Zgjedhore, të cilat, po zhvillohen pa konsensus dhe pa gjithëpërfshirje.

Dialogu me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunimi institucional mbeten të rëndësishëm për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë.