Moti ekstrem ka goditur Nepalin, ku reshjet e rrëmbyeshme të fundjavës kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, duke lënë të paktën 14 persona të vdekur dhe disa të tjerë të zhdukur.
Në një prej videove të publikuara në rrjetet sociale , rrjedha e furishme e një lumi godet një shtëpi, e cila shembet dhe merret përpara nga uji brenda pak sekondash.
Paralelisht me përmbytjet, situata është rënduar edhe në zonat malore. Një ortek ka goditur kampin bazë në Himlung Himal, në Nepalin qendror, duke shkaktuar të paktën katër viktima, ndërsa më shumë se 10 persona rezultojnë të zhdukur.
Në momentin e ortekut, pjesëtarë e stafit po përgatitnin litarët dhe po ngrinin tendat në kampin bazë përpara mbërritjes së një ekipi nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Orteku, i shoqëruar edhe me rënie masive shkëmbinjsh, goditi zonën ku ndodhej personeli.
Shoqata Kombëtare e Udhërrëfyesve Malorë të Nepalit bëri të ditur se katër trupa janë gjetur, ndërsa operacionet për lokalizimin e personave të tjerë vazhdojnë.
“Jemi shumë të tronditur. Mësuam këtë mëngjes se gjashtë ose shtatë anëtarë të ekuipazhit tonë mungojnë, por ende nuk e kemi konfirmuar numrin e saktë”, deklaroi për CNN një përfaqësues i kompanisë që organizonte ekspeditën.
Ai tha se një ortek i përmasave të tilla në atë zonë ishte i pazakontë.
“Është hera e parë që kemi pasur një ortek si ky pikërisht në këtë zonë. Terreni në kamp është shumë i sheshtë, ndaj jemi mjaft të befasuar. Por nuk mund ta dish kurrë, mali është i paparashikueshëm”, shtoi ai.
Përpjekjet e shpëtimit po vështirësohen nga reshjet e dendura dhe komunikimi i kufizuar për shkak të terrenit të largët. Autoritetet dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen të dërgojnë helikopterë drejt kampit bazë për të vijuar kërkimet.
Për shkak të motit të keq, autoritetet nepaleze kishin pezulluar gjithashtu përkohësisht lejet e hyrjes në zonat e mbrojtura të Annapurnës dhe Manaslut, ku ndodhen disa prej itinerareve më të njohura malore të vendit.





