Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur marrëveshje për uljen reciproke të tarifave për mallra me vlerë rreth 60 miliardë dollarë, në një tjetër hap drejt zbutjes së tensioneve tregtare mes dy ekonomive të mëdha botërore. Marrëveshja parashikon që Kina të ulë tarifat për një sërë produktesh amerikane, përfshirë misrin, grurin, mishin, produktet e qumështit, vajrat bimore, ushqimin për kafshët, peshkun dhe prodhimet e detit, si dhe produktet e drurit, kozmetikën dhe pajisjet mjekësore.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, soja amerikane nuk përfshihet në listën e produkteve për uljen e tarifave. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara do të reduktojnë tarifat për disa produkte kineze, mes tyre pajisje të vogla shtëpiake si aparatet e kafesë dhe tosterët, enë tavoline, batanije, çarçafë, lodra, fishekzjarre, lule artificiale dhe dekorime festive. Në listë përfshihen edhe sediljet e makinave për fëmijë.
Dy vendet kanë rënë dakord gjithashtu të zgjasin për dy muaj armëpushimin tregtar, deri më 10 janar, ndërsa do të vijojnë negociatat për investimet, barrierat tregtare dhe çështjet që lidhen me bizneset. Marrëveshja përfshin edhe angazhime të tjera. Kina pritet të importojë 10 milionë tonë metrikë qymyr amerikan në vit gjatë 2027 dhe 2028, ndërsa të dyja palët do të krijojnë një grup pune për bujqësinë.
Në fushën e inteligjencës artificiale do të krijohet një kanal komunikimi për incidentet, ndërsa do të vijojnë diskutimet për zgjerimin e fluturimeve direkte mes dy vendeve. Pavarësisht marrëveshjes, tregjet kineze reaguan negativisht. Indeksi CSI300 ra me më shumë se 2%, ndërsa aksionet e kompanive të teknologjisë u vunë nën presion për shkak të shqetësimeve të tjera që lidhen me tregtinë dhe teknologjinë mes SHBA-së dhe Kinës.





