Në zyrat e rikonstruktuara të njësisë administrative nr.1 në Durrës këto ditë të fundit të shtatorit është regjistruar fluks qytetarësh, pjesa më e madhe e të cilëve paraqiten për të kërkuar informacion lidhur me dokumentacionin që nevojitet për pajisjen me kartën e rezidentit, si dhe për të kryer procedurën e aplikimit për pajisjen me kartën e rezidentit apo atë të abonimit.
Përgjatë këtyre ditëve, në njësitë administrative të bashkisë Durrës kanë nisur të regjistrohen aplikimet e para. Pas verifikimit dhe miratimit të dokumentacionit, qytetarëve duhet t’u lëshohet abonimi vjetor ose vërtetimi i rezidentit brenda një afati 5 ditor.
Aplikimi i parkimeve me pagesë duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme, 5 tetor, është shoqëuar me rritjen e interesimit të qytetarëve për të kryer pranë NJA-ve procedurën e nevojshme për pajisjen me kartën e rezidentit.
Për të aplikuar, qytetari duhet të ketë me vete dokumentin e identifikimit, dokumentin e pronësisë së automjetit, dokumentin që vërteton pronësinë/përdorimin e banesës si dhe vërtetimin e banimit.
Duke nisur nga 5 tetori në rrugët dhe sheshet kryesore të Durrësit, në zonat e administrimit A dhe B, do të zbatimi i sistemit të parkimit me pagesë, sipas tarifave të përcaktuara me vendim të Këshillit Bashkiak.
Sipas bashkisë. ky sistem synon një organizim më të mirë të parkimit, reduktimin e parkimeve të parregullta dhe administrimin më efikas të hapësirave publike.
Qytetarët që banojnë në zonat ku ndodhen rrugët me pagesë mund të aplikojnë për abonimin vjetor të rezidentit, me tarifë 10,000 lekë/vit, për 1 automjet për familje, sipas zonës së banimit. Ndërsa për hapësirat publike të miratuara midis pallateve, rezidentët mund të pajisen me vërtetim rezidenti pa pagesë, i cili u mundëson parkimin në hapësirën përkatëse të banimit.
M.B.





