Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, me fokus edhe te forcimi i mbrojtjes së të drejtës për privatësi gjatë hetimeve.

Rama u ndal te një prej ndryshimeve të propozuara, që lidhet me mënyrën se si autoritetet mund të përdorin dhe kontrollojnë të dhënat që ndodhen në telefonat celularë.

Sipas kreut te qeverise, pajisja nuk mund të konsiderohet më thjesht një mjet komunikimi, pasi përmban një pjesë të konsiderueshme të jetës personale të individit.

“Ndryshimi i katërt vjen për të mbrojtur jetën privatë në epokën e telefonit inteligjent. Telefoni nuk është një mjet komunikimi, ai është arkivi i jetës së një njeriu. Prandaj sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban. Policia dhe Prokuroria mund ta sekuestrojnë pa diskutim, por për ta hapur dhe kopjuar duhet autorizim paraprak i gjykatës. Vendimi i gjykatës do përcaktojë kriteret e kërkimit. Në rastet e urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi duhet të vlerësohet nga gjykata brenda 48 orëve. Cdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme, ndërsa cdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se e njejta logjike duhet te ndiqet edhe per pergjimet, duke theksuar se se duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që kanë lidhje me objektin e hetimit.

“E njëjta logjikë duhet të zbatohet edhe për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet si instrument presioni apo si konsum mediatik”, tha ai.