Një grua në Ohajo të SHBA-së ka ngritur një padi, duke pretenduar se gjatë një operacioni në spital iu amputua këmba e gabuar, si pasojë e së cilës më pas iu desh t’i nënshtrohej edhe operacionit që ishte planifikuar fillimisht.

Gruaja quhet Sharon Jacks dhe më 19 shtator 2025 ishte shtruar në Selby General Hospital në Ohajo për t’i amputuar këmbën poshtë gjurit për shkak të kancerit. Sipas padisë së saj prej 32 faqesh, mjekët i hoqën këmbën e majtë në vend të këmbës së djathtë. Më pas, ajo u detyrua t’i nënshtrohej edhe operacionit të dytë, duke mbetur kështu me të dyja këmbët e amputuara.

Në padi i kushtohet vëmendje e veçantë edhe procedurave të sigurisë që u kryen përpara operacionit. Sipas të dhënave mjekësore të paraqitura nga avokati i Jacks, kirurgu fillimisht kishte shënuar këmbën e duhur. Gjithashtu, para operacionit u kryen dy kontrolle të njohura si “surgical time-outs”. Gjatë këtyre kontrolleve verifikohet identiteti i pacientit, operacioni që do të kryhet dhe pjesa e saktë e trupit ku do të ndërhyhet.

Avokati i saj, Brad Lane, pretendon se, pavarësisht këtyre procedurave të sigurisë, ekipi kirurgjikal nuk e konstatoi gabimin. Madje, sipas padisë, shenja fillestare që tregonte këmbën e duhur vazhdonte të ishte në vendin e saj edhe pas përfundimit të operacionit.

Jacks e dorëzoi padinë më 15 shtator 2026, kundër kirurgut, disa anëtarëve të ekipit mjekësor dhe Selby General Hospital. Në padi përfshihen nëntë akuza, ndër të tjera për neglizhencë të rëndë, sjellje të pamatur dhe neglizhencë institucionale.

Ajo kërkon dëmshpërblim për shpenzimet mjekësore, dhimbjet fizike dhe psikologjike, paaftësinë e përhershme dhe humbjen e cilësisë së jetës.

Sipas padisë, Jacks pësoi “dëmtime të rënda fizike, paaftësi të përhershme, dhimbje dhe vuajtje, shqetësim emocional, poshtërim, shpenzime mjekësore dhe dëme të tjera.”

Çfarë thotë spitali?

Selby General Hospital deklaroi se “i vjen keq për atë që ka ndodhur” dhe se stafi i tij vazhdon të mbajë pacienten dhe familjen e saj në lutjet e veta.

Në të njëjtën kohë, spitali pranoi se “procedurat e përcaktuara për sallën e operacionit nuk u respektuan”.

Spitali tha gjithashtu se profesionistët shëndetësorë të përfshirë në këtë rast “nuk janë më në pozicionet e tyre”, pa dhënë detaje të tjera.

Sipas deklaratës së spitalit, ai bashkëpunoi me Departamentin e Shëndetësisë së Ohajos për hetimin e ngjarjes dhe ndërmori masa korrigjuese për të parandaluar përsëritjen e një rasti të ngjashëm.