Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen e Onkologjikut dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për seancë paraprake për tre persona të dyshuar për korrupsion aktiv dhe pasiv.
Mësohet se prokurori Elvin Gokaj ka dërguar për seancë paraprake në Gjykatën e Posaçme tre persona, konkretisht mjekun Edmond Gashi, koordinatorin e Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela si dhe Mustafa Xhepmetajn, i cili dyshohet nga organi i akuzës se ka korruptuar mjekët.
Për tre të pandehurit bëhet fjalë për akuza që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv. Çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse plotësohen kushtet për kalimin e saj në gjykim.
Dosja lidhet me hetimet për veprimtarinë në Spitalin Onkologjik dhe dyshimet për orientimin e pacientëve drejt shërbimeve private. Hetimet fillestare për çështjen nisën pas denoncimeve dhe dyshimeve për abuzime me pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale.





