Nga foltorja e Kuvendit, Rudina Hajdari tha se politika ka marrë peng vendin e teksa shqiptarët nuk mbajnë dot me bukë familjet, pasuritë natyrore janë privatizuar nga 5 persona.
Hajdari i bëri thirrje deputetëve socialistë të reagojnë e të kundërshtojnë kryetarin e partisë (kryeministrin Rama) ndërsa ju drejtua edhe opozitës jashtëparlamentare që të mos braktisë tryezën për reformën zgjedhore dhe të mos lënë vendin në dorë të socialistëve.
“Shqipëria është vjedhur në mënyrë flagrante. Çdo gjë në këtë vend ka marrë fund sepse e ka marrë peng politika për vite me radhë. Sot qytetarët shqiptarë duhej të ishin minimumi me buxhet 50 mijë dollar për çdo familje. Shqipëria ka pasuri natyrore, ka mundësi që qytetarët të kenë të ardhura aq sa të jetojnë me integritet e të mos lapaçiten çdo ditë.
Sot qytetarët nuk i kanë këto mundësi, edhe pse Shqipëria është një vend i pasur, këto pasuri natyrore janë të grabitura nga 5 njerëz. Janë centralizuar te 5 njerëz që janë pasuruar me këto lekë dhe shqiptarët enden rrugëve, nuk kanë mundësi të mbajnë familjen e tyre shtëpinë e tyre. Çdo shqiptar sot është me 3 mijë euro borxh. Në këtë vend nuk të jepet mundësia të bësh asgjë. Ne po evokojmë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Thojeni fjalën e lirë zotët deputetë. Enver hoxha ka vdekur, ça po bëjmë ne sot? Thojeni fjalën tuaj. Deputetë socialistë, pse nuk e mbron njëri nga ju tetarin? Nuk ju vjen keq? Ju mban për fyti kryetari i partisë suaj. Këtu duhet ndryshim sistemi sepse politika e vjetër e ka marrë peng këtë vend dhe ne duam shpresë në këtë vend, të rinjtë të kthehen në Shqipëri e ta çojën përpara. I bëj thirrje opozitës jashtëparlamentare, mos e braktisni atë tryezë, mos e leni Shqipërinë në dorë të socialistëve. Mos i leni më bashkitë në duart e socialistëve, hajde të luftojmë në parlament”, tha Hajdari.





