Përmes një postimi në Facebook, Presidenti Ilir Meta ka zbuluar dhuratën që ka marrë mbrëmjen e kaluar nga Xhamia e Plumbit në Shkodër, ku ndodhej për të uruar Natën e Shenjtë të Kadrit.
Meta shkruan se ka marrë dhuratë një foto nga rihapja në 16 nëntor 1990, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
“Shumë i lumtur që në këtë vit jubilar të 30-vjetorit të rikthimit të lirisë fetare, të merrja dje dhuratë një foto nga rihapja në 16 nëntor 1990, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër. 2169 faltore, pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit u shkatërruan nga barbaria e diktaturës komuniste. Dhjetra klerikë u martirizuan, u burgosën dhe u internuan. Por siç me të drejtë thotë edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari: “Gurët dhe muret i shembën, por shpirtrat jo”.”





