Paraditen e së mërkurës, pritet të kalojnë në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak Durrës planet e detyruara vendore të 3 nga 4 zonave të Rindërtimit, ku pritet të ndërtohen godinat ku do të strehohen personat e mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
DurrësLajm publikoi pak ditë më parë projektin për zonën e Rindërtimit në Spitallë, ku pritet të sistemohen rreth 1720 familje. Ndërkohë, po publikojmë në vijim planin e detajuar vendor për zonën nr.3, që do të ndërtohet në Shkozet.
Zona e Shkozetit është një nga lagjet e Durrësit më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërkohë që në të janë parashikuar dy zona Rindërtimi, nga të cilat vetëm për njërën është hartuar deri më tani plani i detajuar vendor. Plani i detajuar vendor për zonën nr.3 është hartuar nga “Casanova-Hernandez” dhe “Geosat” shpk dhe në përfundim të punimeve për Rindërtimin aty pritet të sistemohen 357 familje të mbetura pa shtëpi nga tërmeti.

Zona e marrë në studim ka një sipërfaqe prej 58’690 m2. Zona e Re për Zhvillim 3 ndodhet në Shkozet, të qytetit të Durrësit dhe kufizohet nga: Veri-lindje: Rruga Vesa; Veri-Perëndim: Rruga Bajram Tusha; Jug-Perëndim: Rruga Asti Gogoli ; Jug-Lindje: Objekte ekzistuese.
Gjendja Aktuale
Zona e Re për Zhvillim 3 aktualisht karakterizohet nga një projektim urban i çrregullt ku bëjnë pjesë objekte të ndërtuara në periudha të ndryshme kohore. Për sa i përket objekteve të banimit të ndërtuara para viteve ’90, ato paraqiten në gjendje vizuale jo të mirë. Në brendësi të zonës ndodhen objekte arsimore, shërbimesh, industriale, magazina etj. Duke qenë territor i konsoliduar urban nuk përfshihet në zona të mbrojtura natyrore-mjedisore. ZRZH 3 përmban tipologji të ndryshme ndërtimesh, ku kryesisht mbizotërojnë objektet lineare 4-5 kat. Kjo është një zonë ku funksionin kryesor e zë banimi, por katet e para dhe të dyta të objekteve përgjatë rrugëve kryesore shfrytëzohen për shërbime tregtare të nivelit të vogel, te ndryshme. Gjithashtu në zonë ndodhen edhe institucione arsimore të pozicionuara në brendësi të saj, konkretisht Shkolla 9-vjecare “Hasan Koci” edhe kopeshti. Një sipërfaqe të konsiderueshme të kësaj zone e zënë hapësirat e pashfrytëzuara. Ato pozicionohen në pjesën qendrore të njësisë, të konturuara nga objekte banimi që shtrihen përgjatë rrugëve kufizuese të njësisë. Këto lloj hapësirash, shpesh herë shfrytëzohen si vende parkimi publik.
Dëme të shkaktuara nga tërmeti dhe nevojat për akomodim
Në ZRZH 3 gjatë tërmetit të datës 26.11.2019 pati një shembje të objektit 5-katësh . Fatmirësisht ajo shembje nuk shkaktoi viktima. Në zonën e caktuar për rindërtim, evidentimi në terren për dëmet e tërmetit konstatoi gjithsej gjashtë objekte me dëme të shkallës DS4. Nga dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti numri i apartamenteve që janë shembur ose do të shemben sepse banesat janë vlerësuar me kategorinë DS4 është 72 njësi banimi/familje. Këto janë emergjente për fazën e parë të zhvillimit të PdyV-së. Pra nevoja për strehim nga zbatimi i fazës së parë të PdyV-së është 72 familje.
Gjatë fazës së dytë propozohet të prishen disa ndërtime informale, ku përfshihen 4 familje që jetojnë në ato ndërtesa.
Numri total i familjeve që kanë nevojë strehimi nga dëmtimet e tërmetit dhe nga propozimet e Planit të Detyruar Vendor për të dyja fazat e zhvillimit është 76 familje.

Objektivat strategjikë për zhvillimin e zonës janë:
- Ndërtimi i njësive të banimit.
- Përmirësimi i hapësirës publike.
- Rregullimi i zonave të parkimit.
- Krijimi i zonave të gjelbërta dhe rekreative.
Programi i strehimit
Sipas PdyV-së së propozuar, e cila propozon zhvillimin ne dy faza , programi i strehimit do të konsiderohet konkrestisht:
Faza I
Në Fazën I do të jenë objekti N1.1 i nënnjësisë N1 dhe nënnjësia N4, të cilat ri zhvillohen pas shembjes së objekteve të vlerësuara nga dëmtimet e tërmetit si kategoria DS4 dhe DS5. Objekti i kategorisë DS5, i cili u shemb gjatë tërmetit do të zëvendësohet me një ndërtesë 6 kate.
Programi i strehimit synon realizimin e 2 objekteve të banimit të klasifikuara si më poshtë:
– 1 objekt me lartësi 6 kate
– 1 objekt me lartësi 8 kate
Tipologjitë e apartamente klasifikohen si më poshtë:
– 36 apartamente të tipologjisë 1+1
– 20 apartamente të tipologjisë 2+1
– 8 apartamente të tipologjisë 3+1
Në total në fazën e parë për ZRZh 3 propozohet të akomodohen 64 familje.
Pas fazës së parë të zbatimit të PDYV-së, nga familjet e prekura nga tërmeti që kanë ngelur të pastrehë mund të akomodohen 200 banorë.
Faza II
Në Fazën e dytë propozohet të zhvillohet nënnjësia N1 (N1.2, N1.3), N2, N3, N5 dhe N6 me ndërtesa banimi dhe shërbimesh. Ajo do të realizohet nga prishja e ndërtesave informale 1-3 kate dhe ri zhvillimi i një zone ish industriale, të degraduar.
Programi i strehimit synon realizimin e 7 objekteve të banimit të klasifikuara si më
poshtë:
3 objekte me lartësi 5 kate
3 objekte me lartësi 6 kate
1 objekt me lartësi 5, 6 dhe 8 kate
Tipologjitë e apartamente klasifikohen si më poshtë:
73 apartamente të tipologjisë 1+1
93 apartamente të tipologjisë 2+1
145 apartamente të tipologjisë 3+1
Në total në fazën e dytë për ZRZh 3 propozohet të akomodohen 311 familje.
Pas fazës së dytë të zbatimit të PDYV-së, nga familjet e prekura nga tërmeti dhe ato që do t’ju shembet shtëpia për shkak të PdyV-së mund të akomodohen 1388 banorë në ZRZh 3.
Në përfundim të realizimit të këtij Plani të Detyruar Vendor për ZRZh 3 është menduar t’u shërbejë 375 familje të reja të strehuara dhe 1588 banorëve.
Plani i Infrastrukturave dhe Shërbimeve Publike
Zona e Re për Zhvillim Nr. 3 në qytetin e Durrësit është një zonë e urbanizuar, e kufizuar nga disa anë me rrjet rrugor dhe në pjesën jug-lindore me objekte dhe zonë ekzistuese. Rrugët
kufizuese nuk shërbejnë vetëm si aksese automobilistike për zonën, por ofrojnë edhe lidhjet me infrastrukturat kryesore inxhinierike.

Propozimi i rrugëve të reja është menduar për të lehtësuar aksesin dhe lëvizjen e këmbësorëve dhe makinave drejt ndërtesave të tyre. Vendet e parkimit do të mundësohen si në sipërfaqet nëntokësore të objekteve të reja të propozuara, ashtu dhe mbi tokë. Parkimi mbi tokësor është kombinuar/shkrirë me gjelbërimin urban, me qëllim që të ulet ne maksimum ndikimi vizual i mjeteve të parkuara.
Në brendësi të zonës propozohet një rrjet rrugor me seksione të ndryshme, 5, 6 dhe 7 m të karexhatës. Disa prej këtyre rrugëve shoqërohen me parkime në njërin krah ose në të dyja, paralel me trupin e rrugës.
Në lidhje me transportin publik, në afërsi të zonës është menduar të pozicionohet një stacion autobusi urban, për të mundësuar lidhjen e zonës me qendrën e qytetit.
Shtimi dhe/ose zgjerimi i hapësirave të gjelbra
Shtimi dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra në ZRZh Nr.3 është parashikuar në përcaktimet strategjike të planit për PdyV-në. Sipërfaqet e gjelbra të propozuara kontribuojnë si në shtimin e gjelbërimit, ashtu edhe në përmirësimin e peizazhit në tërësi. Në ZRZh Nr.3 parashikohet që sipërfaqja e zonave të gjelbra të shkojë mbi 2770 m2, e përbërë nga xhepa të gjelbër urban, të cilat janë zona të vogla të gjelbëruara, të pajisura për funksione rekreative.
Hapësirat e lira midis ndërtimeve do të trajtohen me projekte të veçanta rikualifikimi e mirëmbajtjeje të vazhdueshme. Projektet e rikualifikimit të hapësirave të lira ndërmjet strukturave ekzistuese duhet të jenë në përputhje me përcaktimet e kësaj PDyV-je dhe, sipas rastit, të parashikojnë:
a) Përmirësimin e rrugëve dhe infrastrukturave të tjera;
b) Gjelbërimin e këtyre hapësirave me pemë, shkurre e bimë dekorative;
c) Ndriçimin e tyre;
d) Pajisjen me elemente të ndryshme të mobilimit urban si ndenjëse, kënde lojërash
për fëmijë, pajisje sportive, vend-depozitime të mbeturinave, etj.
e) Pajisjen me vendqëndrime biçikletash
Plani do transformojë gradualisht zonën për të siguruar një identitet të ri, bazuar në integrimin e hapësirave të gjelbëruara, parqeve të vogla, zonave rekreative dhe godinave rezidenciale plot ngjyra.
Çdo godinë e re do të pajiset me një tarracë të gjelbër .
Fasadat e objekteve do të kompozohen me ane te “Boshllëqe”-ve te ndryshme për nga dimensioni. Këto boshllëqe duhet te kenë një raport ndërmjet 1:1 dhe 1:2, duke eliminuar ekzistencën e proporcioneve te gjata vertikale apo horizontale. Boshllëqet ne qoshe mund te përdoren për te krijuar elemente vizuale qe dematerializojnë vizualisht skajin e ndërtesës.
M.B.





