Emiratet e Bashkuara Arabe i dhurojnë Shqipërisë 7 tonë pajisje mjekësore për luftën ndaj COVID-19.
Lajmin e publikon Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili thotë se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten gjithmonë një vend mik, që i gjendet Shqipërisë sa herë kemi nevojë për ndihmë.
Përmes një postimi në Facebook, Balla deklaron se Shqipëria i shpreh mirënjohjen LT Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabit, nën kujdesin e veçantë të LT mbërritën në Shqipëri 7 tonë pajisje mjekësore për përballimin e luftës me COVID-19.
Sipas Ballës, kjo ndihmë e drejtëpërdrejtë siguron 7000 veshje të plota mbrojtëse mjekësore për mjekë, infermierë dhe personel mbështetës.
Gjithashtu numri dy i PS, Taulant Balla risjell në vëmendje solidaritetin dhe ndihmën për Shqipërinë të LT Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabit, menjëherë pas fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Emiratet e Bashkuara Arabe janë një ndër donatorët kryesorë në procesin e rindërtimit, duke garantuar rindërtimin e 2 mijë banesave të dëmtuara nga tërmeti. “Jemi vëllezër” më tha Princi i Kurorës së Abu Dabit LH Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, kur pata nderin ta takoja në dhjetor 2019”, shkruan Balla.





