Gjykata e Lartë prej dy javësh ka nisur punën në dhomë këshillimi duke filtruar dosjet e ngelura prej vitesh. Zgjidhje i është dhënë dhe padive për shkarkime të padrejtë nga puna. Duke unifikuar qëndrimet, trupa ka përshpejtuar proceset duke detyruar institucionet të shlyejnë pagat. Në këto raste nuk kanë munguar krahas refuzimit edhe gjobat e avokatëve.
Jo çdo çështje duhet të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kjo mesa duket po vihet në zbatim edhe me penalitete.
Kolegjet të cilat kanë nisur punën ndonëse me numër të reduktuar gjyqtarësh kanë filluar edhe filtrimin e çështjeve duke vendosur mospranimet e rekurseve dhe madje duke gjobitur në masën 50 mijë lekë avokatët, të cilët i janë drejtuar kësaj Gjykate ne kushtet ku nuk ishte e nevojshme dhe nuk kishte argument ligjor.
Një tjetër fenomen që po vihet re në vendimet e para të gjykatës pas plotësimit minimal është edhe heqja e pezullimeve për shumë çështje, kryesisht civile, për shkak të ankimimeve në Gjykatën e Lartë nga institucionet kryesisht shpërblimet për heqje të padrejta nga puna
Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese e ligjore, misioni ekskluziv i Gjykatës së Lartë tashmë do të jetë shqyrtimi i çështjeve lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore.
Në këtë kuadër, është vendosur një sistem i filtrimit të çështjeve që paraqiten në Gjykatën e Lartë, nëpërmjet përcaktimit të shkaqeve taksative të ushtrimit të të drejtës për rekurs.
Sipas këtyre shkaqeve, të cilat janë unifikuar për të tre llojet e gjykimeve, mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë çështjet qe janë të një rëndësie themelore për njehsimin, sigurinë ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, apo kur vendimi qe ankimohet është i ndryshëm nga praktika gjyqësore e Kolegjeve të thjeshta ose praktika e njehsuar e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Gjithashtu në ligj janë përcaktuar dhe kufij monetare për paditë, poshtë të cilit nuk lejohet rekursi ne Gjykatën e Lartë.
Tashmë me ndryshimet e fundit ligjore Gjykata e Lartë do të ketë si mision unifikimin e jurisprudencës, ndërsa Kolegjet e Bashkuara do të merren me ndryshimin e saj, kur ndërmjet kolegjeve të ndryshme të Gjykatës se Lartë nuk ka një qëndrim uniform lidhur me një çështje juridike.
Kjo do të ndikojë ne mos mbingarkimin e Gjykatës së Lartë. /Ora News





