Banorët e pallatit e 6-katësh nr.1062, në lagjen 7 në Durrës janë ngritur sërish në protestë paraditen e sotme.
Dy ditë më parë, ata u lajmëruan se ndërtesa do të shembej, ndërkohë që ishin në pritje të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Banorët, të cilët kanë jetuar në këtë godinë edhe pas tërmetit, thonë para mediave se ekspertiza finale për shembjen e pallatit nuk është korrekte.
Ata thonë se ky vlerësim është bërë nga dy ekspertë që u paditën një ditë më parë nga Aleanca për Teatrin për shpërdorim detyre.
“Dyshojmë që ekspertiza finale që na është dhënë për demolimin e pallatit nuk është korrekte, duke qenë se ajo është e hartuar me 16 rrjeshta, ka vetëm dy firma nga një inxhinier dhe një arkitekte që janë akuzuar për shembjen e Teatrit Kombëtar.”, thotë një banore.
Banorët kërkojnë garanci se godina do të ndërtohet sërish në të njëjtin vend pasi siç shprehen ata apartamentet nuk ka të njëjtën vlerë me ato të zonave që janë shpallur si zona për Rindërtimin.
“Banorët janë konsultuar me inxhinierë privat dhe thonë që nuk është akt-ekspertizë e thelluar. Akti i parë dhe akti u dytë që e kanë shpallur DS3 kanë qenë 5 inxhinierë.”, thotë një tjetër.
Një nga familjarët e këtij pallati është edhe gazetarja Klodiana Haxhiaj, e cila thotë se tërmeti shkaktoi dëme të konsiderueshme në objekt dhe se ekspertët italiane dhe sllovenë ju kanë thënë që godina është e banueshme.
“Tre ditë më parë, krejt rastësisht kemi mësuar nga një oficer se pallati jonë do të prishet. Ndërkohë dy ditë me radhë ka patur një reprezalje të shtuar nga ana e strukturave të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake të cilat ju kanë kërkuar me ngulm banorëve të dalin brenda 24 orësh pasi sipas tyre pallati është i pabanueshëm. Dhe fakti që banorët kanë jetuar prej 6 muajsh këtu, është e paligjshme.”, thotë Haxhiaj ndërsa tregon se ju kanë lënë afat deri hënën për largimin nga apartamentet e tyre.
G.D.





