Inspektorati i Ujësjellës Kanalizime Durrës njoftonse ka nisur kontrolle në disa zona të shërbimit në të cilat janë kryer ndërprerje e furnizimit me ujë për shkak të debisë së mbartur dhe mospagesës së disa faturave me radhë të ujit.

Inspektorët që mbulojnë zonën e shërbimit në Plazh dhe Shkëmbin e Kavajës, kanë konstatuar se në një nga pikat ku ishte ndërprerë furnizimi me ujë, ai ishte rilidhur në mënyrë të paligjshme.

Bëhet fjalë për abonenten me iniciale R.M, e cila ka një shumë të papaguar të disa faturave te muajve të fundit. Pas konstatimit, inspektoriati ka ndërprerë sërisht furnizimin me ujë, ndërsa personi në fjalë është denoncuar në prokurorinë e Durrësit për lidhje të paligjshme të ujit në rrjetin e ujësjellësit.

Kontrollet e nisura në këtë zonë synojnë parandalimin e ndërhyrjeve të mundshme në rrjet si dhe rilidhjen në rrjetin e ujësjellësit të personave që iu është ndërprerë furnizimi për shkak të debive të mbartura.

Ujësjellës Kanalizime Durrës paralajmëron të gjithë persona që nuk kanë paguar faturat e ujit që të nxitojnë ti paguajnë ato në pikat e caktuara nga ujësjellësi, pasi në të kundërt do të bëhet ndërprerja e furnizimit dhe në rast të lidhjes së paligjshme, do të denoncohen në prokurori.