“Shkollat janë gati për rikthimin e maturantëve.”

Kështu shkruan në Facebook kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana ndërsa bën me dije se janë marrë masat e nevojshme në bashkëpunim me ZVA Shijak, për përgatitjet në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, për sigurinë e çdo nxënësi.

Arbana më tej liston masat e marra, nga dezinfektimi i ambienteve të brendshme dhe jashtme të shkollave deri në vendosjen e sinjalistikës informuese dhe vijëzimeve për të ruajtur protokollet e distancimit social.

POSTIMI I PLOTË

SHKOLLAT JANË GATI PËR RIKTHIMIN E MATURANTËVE

Bashkia e Shijakut ka marrë të gjithë masat e nevojshme në bashkëpunim me ZVA Shijak, për përgatitjet në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, për sigurinë e çdo maturanti që ditën e hënë do t’i rikthehet procesit mësimor.

Kemi dezinfektuar ambientet e jashtme dhe të brendshme të shkollave.
Çdo klasë është gati, duke i larguar bankat 2 metra në distancë me njëra-tjetrën.
Çdo bankë nxënësi ka një dezinfektues individual.
Në tualete janë marrë masat e nevojshme.
Termometër në hyrje të shkollës për të kontrolluar çdo nxënës.
Maska dhe doreza për çdo nxënës.
Sinjalistikë informuese dhe vijëzime për të ruajtur protokollet e distancimit social.