Ditën e enjte, banorët e pallatit nr. 1062 në lagjen nr.7 të Durrësit zhvilluan një protestë, pasi vetëm dy ditë më parë ishin njoftuar se duhet të dilnin nga pallati ku banonin sepse ndërtesa 6 katëshe do të shembej.
Në akt-ekspertizën e thelluar që kishte kryer Instituti i Ndërtimit ishte vendosur se pallati duhej demoluar. Me vendim të Këshillit Bashkiak, më datë 23 prill u miratua prishja e detyruar e 12 ndërtesave pronë private për të cilat Instituti i Ndërtimit kishte vendosur të shembeshin, pas dëmtimeve të rënda që kishin pësuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Pavarësisht se mediet kërkuan në atë kohë listën e objekteve që ishin miratuar për shembje me vendim të Këshillit Bashkiak, kjo listë refuzohej të jepej.
Dhe përderisa mungon transparenca me mediet, normalisht mungon transparenca edhe me qytetarët, sidomos ata, ndërtesat e të cilave janë vendosur të shemben.
Më poshtë po publikojmë të plotë vendimin e Këshillit Bashkiak, ku përfshihet lista “sekrete”, që autoritetet refuzonin t’ia jepnin medias për publikim, për të bërë transparencë për publikun.
Që nga fillimi i pandemisë mbledhjet e Këshillit Bashkiak zhvillohen online dhe mediet, ashtu dhe qytetarët, në pamundësi për t’i ndjekur duhet të mjaftohen vetëm me një njoftim të shkurtër të publikuar në faqen e bashkisë.
Se kujt i shërben kjo mungesë transparence, për më tepër kur çështjet që kanë lidhje me tërmetin kanë një sensibilitet shumë të madh tek qytetarët, është një pyetje që duhet të shtrojë çdo qytetar durrsak.
Autoritetet nuk duhet të mjaftohen vetëm me hartimin e relacioneve dhe marrjen e vendimeve, por edhe me transparencën ndaj publikut të gjerë, që ka të drejtë të informohet lidhur me atë çfarë vendos Këshilli Bashkiak njëngjyrësh.
Dhe kur mendon se të paktën dy këshilltarë kishin votuar për prishjen e pallatit ku banonin, pa e ditur se po votonin pikërisht për prishjen e shtëpisë së tyre, absurditeti arrin kulmin dhe fare mirë mund të kthehet në barsaletën e radhës për ata që pretendohet se duhet të marrin vendime për qytetin…
M.B.





