Ndërsa të gjithë janë në pritje të datës konkrete kur do të rinisë transporti i pasagjerëve me tragetet që lidhin portet e Shqipërisë me ato të Italisë, bëhen publike disa rregulla që pritet të aplikojë grupi i njohur Grimaldi, në pronësi të të cilit janë tragetet që kryejnë linjat detare Itali – Greqi dhe anasjelltas.
Sipas këtij grupi, udhëtimi me traget nuk do të jetë më si më parë, pasi masat e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë Covid-19 e ndryshojnë komplet mënyrën e udhëtimit të pasagjerëve.
“Tragetet e grupit Grimaldi do të udhëtojnë vetëm me 50% të kapacitetit të tyre maksimal për numrin e pasagjerëve”,– lexohet në dokumentin e kompanisë, të publikuar në mediet e huaja. Kompania në fjalë ka edhe në Durrës një traget të saj që kryen linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas dhe mendohet se e njëjta procedurë mund të ndiqet edhe për udhëtimet me traget nga porti më i madh i vendit.
Në dokumentin e grupit Grimaldi nënvizohet se çdo pasagjer do të pajiset falas me kitin e mbrojtjes personale si maskë, doreza, të cilat do t’u jepen që nga momenti i parë i imbarkimit në traget dhe do të mbahen përgjatë gjithë kohëzgjatjes së udhëtimit.
Njëkohësisht, para imbarkimit, pasagjerëve do t’u matet temperatura, nëse rezultojnë me temperaturë mbi 37.5 °C nuk do të imbarkohen.
Grupi Grimaldi siguron se në traget do të jetë gjithnjë një mjek, pavarësisht numrit të pasagjerëve që ndodhen në bord. Ndërkohë në një kabinë do të sistemohen vetëm persona të një familjeje.
Ndërsa më parë, në kabina, në varësi të shtretërve mund të kalonin natën deri në 4 persona, me rregullat e reja pritet të sistemohet vetëm një person, kur ai nuk është i shoqëruar nga familjarë të tjerë. Ndërkohë, deri tani kompanitë detare nuk paralajmërojnë rritje të çmimit të biletave të udhëtimit, ndryshe nga çfarë kanë paralajmëruar kompanitë ajrore.
Blogu ndërkombëtar ShipMag, i specializuar për gjithçka që lidhet me detin dhe lundrimet nënvizon se rregullat e reja janë shumë të forta dhe e njëjta gjë po ndodh edhe në Greqi.
“Grupi ka prezantuar protokolle specifike për dezinfektimin e kabinave dhe ambienteve dhe gjithashtu do të ndjekë protokoll më vete për mbrojtjen e personelit në bordin e tragetit. Ai ka furnizuar ekuipazhet me mjetet e nevojshme dhe i ka trajnuar për të qenë gati për të asistuar pasagjerët gjatë zbatimit të masave parandaluese për përhapjen e pandemisë Covid-19″,– shkruan ShipMag.





