Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, deklaroi se maxhoranca u tërhoq nga qëndrimi provokativ i djeshëm i kryeministrit Edi Rama.
Në një prononcim për mediat, demokrati tregoi detaje nga mbledhja e sotme, që u shoqërua me debate mes kryetarit të kësaj tryeze, Damian Gjiknurit, dhe përfaqësuesit të LSI-së Petrit Vasili. Sipas Bylykbashit, kreu i qeverisë po tenton që të nxjerrë nga binarët këtë mbledhje, pasi kërkon që të miratojë i vetëm Kodin e ri Zgjedhor. Ish-deputeti i PD-së tha se opozita s’do të heqë dorë nga kërkesat e saj; Administrata zgjedhore, Kolegji Zgjedhor si dhe nga qeveria tranzitore.
“Patëm një mbledhje me një debat shumë të fortë për sa i përket deklaratave të djeshme të kryeministrit Rama, i cili në mënyrë fare të qartë bëri tentativë të drejtpërdrejtë për të siluruar procesin politik dhe sigurisht dhe atë teknik, pra reformën zgjedhore. Atë që ne i bëmë të qartë maxhorancës sot në Këshill Politik ishte që: Kushtet që ne kemi vendosur mbi tryezë me propozimet tona janë aty mbi tryezë. Ne nuk tërhiqemi nga ato! Jo vetëm që kërkohet vullnet politik që e garanton vetëm qeveria tranzitore, por në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi kryeministri Rama që marrë në xhepin e tij administratën zgjedhore duke emëruar aty militantë politikë të veshur si të pavarur nga administrata publike. Dhe po ashtu nuk do të ketë mundësi të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që kryen me administratën e kapur politikisht. Në debatin që bëmë maxhoranca u tërhoq nga këto qëndrime dhe kjo na jep mundësinë për të vazhduar më tej. Por që të jetë e qartë: opozita jo vetëm nuk do të çedojë nga të gjitha garancitë ndër vite i janë dhënë procesit zgjedhor dhe opozitës në përgjithësi, pavarësisht kush ka qenë në opozitë, por do t’i shtojmë procesit zgjedhor garanci të tjera të cilat do të bëjnë gjithmonë e më të vështirë manipulimin. Sigurisht asnjë nga këto nuk është e mjaftueshme për të garantuar vullnetin politik që e garanton vetëm një qeveri tranzitore”, tha Bylykbashi.
Ndër të tjera Bylykbashi u pyet edhe në lidhje me akuzat që bëri deputetja opozitare, Rudina Hajdari. Kjo e fundit tha se palët kanë bërë marrëveshje për të mos prekur sistemin. Ndërkohë Bylykbashi tha; “Sot, patëm një raport nga ekspertët në lidhje me Kushtetutshmërinë për sistemin zgjedhor, por çështja Zgjedhore është konsensualiteti, pasi maxhoranca u tërhoq.”.





