Nga Mila Ballhysa
Qytetarët e Durrësit, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në nivelin DS1, DS2 dhe DS3, janë në pritje të përfitimit të grantit të riparimit të shtëpisë së tyre, i cili është përcaktuar në 3 nivele nga qeveria Rama, në varësi të dëmeve në banesë. Me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktimi i vlerës së kompensimit ju kalua si e drejtë Këshillit Bashkiak.
Në mbledhjen emergjente të paradites së sotme, Këshilli Bashkiak Durrës, mes të tjerash, miratoi pikën 4 të rendit të ditës që konsistonte në :
MIRATIMIN E PËRLLOGARITJES SË VLERËS MESATARE TË MASËS SË GRANTIT TË RIKONSTRUKSIONIT OSE RIPARIMIT PËR NIVELIN E DËMIT DS1, DS2, DHE DS3, PËR BANESAT E DËMTUARA NGA TËRMETI I DATËS 26.11.2019 NË QYTETIN E DURRËSIT
Por si do të përllogaritet kompensimi që do të përfitojë çdo familje durrsake, banesat e të cilave kanë pësuar dëme të nivelit DS1, DS2 dhe DS3?
DurrësLajm, duke marrë parasysh interesimin e madh të qytetarëve durrsakë për të njohur procedurën që do të ndiqet për përcaktimin e dëmshpërblimit që do të përfitojnë për banesat e dëmtuara nga tërmeti, po e publikon të plotë relacionin e paraqitur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak. Në relacion përcaktohet me detaje preventivi i vlerës mesatare të grantit që do përfitojë secila familje, në varësi kjo të sipërfaqes së apartamentit, katit të banesës dhe nivelit të dëmit.
Vlen të theksohet fakti, se familjet që banojnë nga kati zero deri në katin e 5-të do të përfitojnë 100% të vlerës së preventivit, ndërsa katet 6 dhe 7 do të përfitojnë 60% të vlerës së preventivit të grantit.
“Pas hartimit të preventivave për cdo nivel dëmi u përllogarit një vlerë mesatare rikonstruksioni ose riparimi lekë/m2 duke iu referuar sipërfaqeve të marra në shqyrtim. Sipas kësaj metodologjie vlerësimi i dëmit për cdo apartament do ti referohet vlerës mesatare të riparimit lekë/m2 dhe sipërfaqes përkatëse të cdo apartamenti.
Duke marrë parasysh edhe nivelin e katit u mendua që nga kati zero (kuota e ashensorit) deri në katin e pestë të përfitohet vlera e preventivit në masën 100% dhe nga kati i gjashtë e sipër në masën 60%.”– shkruhet në relacion.
Në relacionin e paraqitur në Këshillin Bashkiak nga një grup inxhinierësh që kanë punuar në terren dhe kanë parë nga afër dëmet e pësuara në pallate të ndryshme të Durrësit vlera mesatare e preventivit është përllogaritur në varësi të dëmeve në apartament.
Projekt vendimi i KB Durrës sakteson vlerën përkatëse të dëmshpërblimit për nivelin e dëmit DS1,DS2, dhe DS3.
- Miratimin e përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS 1= 750 lekë/ m2.
- Miratimin e përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS 2= 2000 lekë/ m2.
- Miratimin e përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS 3= 4000 lekë/ m2.
Në vlerat mesatare të preventivit për secilin apartament të dëmtuar nga tërmeti në Durrës, asnjëherë vlera e riparimit nuk e tejkalon kufirin maksimal të vendosur nga qeveria për akordimin e dëmshpërblimit.
Apartamente me dëme DS1, sipërfaqja deri në 75m2 – 60,505 lekë
Apartamente me dëme DS1, sipërfaqja deri në 110m2 – 80,557 lekë
Apartamente me dëme DS1, sipërfaqja mbi 110m2 – 96,305 lekë
Apartamente me dëme DS2, sipërfaqja deri në 75m2 – 150.793 lekë
Apartamente me dëme DS2, sipërfaqja deri në 110m2 – 205.459 lekë
Apartamente me dëme DS2, sipërfaqja mbi 110m2 – 244.094 lekë
Apartamente me dëme DS3, sipërfaqja deri në 75m2 – 300.857 lekë
Apartamente me dëme DS3, sipërfaqja deri në 110m2 – 450.450 lekë
Apartamente me dëme DS3, sipërfaqja mbi 110m2 – 497.272 lekë
Ndërkohë problem më vete mbeten banesat private dhe pallatet me dëme të nivelit DS4 dhe DS5, për të cilat bashkia e Durrësit i ka kërkuar akt-ekspertizë të thelluar Institutit të Ndërtimit. Mësohet se janë gjithsej 1050 ndërtesa (790 banesa individuale dhe 260 pallate) për të cilat është kërkuar akt-ekspertizë, ndërkohë që Instituti ka kthyer përgjigje për rreth 10% të numrit total.
Në aplikimin online “Shtëpia ime” kanë aplikuar 12.500 familje të Durrësit, që presin të përfitojnë nga Programi i Rindërtimit.





