Mbyllja e kufinjve si pasojë e pandemisë Covid-19 ka shkaktuar humbje të mëdha për strukturat hoteliere në qytetin e Durrësit. Të goditur rëndë nga efektet negative që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019, hotelet kanë pasur një numër mjaft të limituar klientësh përgjatë muajve dhjetor 2019 dhe janar dhe shkurt 2020. Ndërkohë, megjithëse mund të qëndronin hapur gjatë marsit, prillit dhe majit të këtij viti, hotelet janë të zbrazur tërësisht. Këto muaj përkonin vitet e kaluara me mbërritjen e turistëve të parë nga vendet evropiane, kryesisht për turizëm kulturor. Muaji maj i këtij viti i gjen hotelet brenda në qytet të hapur, por me dhoma të mbyllura, pasi klientët mungojnë.

“Mund të jetë një sezon shumë i keq. Shpresa është shumë e vogël përsa kohë kufijtë janë të mbyllur. Është thuajse e pashpresë situata e hoteleve brenda në qytet siç jemi ne, që punojmë me turistët e huaj”,- thotë për DurrësLajm, Eris Sinani, menaxher tek hotel “Arvi”.

Një shpresë e vogël ekziston që të paktën të mos “humbë” edhe muaji qershor, megjithëse duket disi e vështirë, përsa kohë qeveria Rama nuk ka dalë ende me datë konkrete se kur do të hapen kufinjtë tokësorë, pasi për ata të Shengenit duhet pritur 15 qershori. Kryeministri deklaroi sot se po shihet mundësia që kufijtë tokësorë të mund të hapen brenda këtij muaji.

Tek hotel “Arvi” gjatë kësaj periudhe është punuar për dezinfektimin e ambienteve dhe disa riparime të vogla për të qenë gati në momentin kur pritet të rinisë aktiviteti. 18 maji do të përkojë me hapjen e restoranteve dhe bareve në ambiente të hapura. Menaxheri i hotel “Arvi” ngre si shqetësim orarin 17.30 të përcaktuar nga qeveria për mbylljen e biznesit.

“Ne i kemi zbatuar të gjitha masat si dezinfektimin, distancimin social, numrin e kufizuar të personave në ambiente të mbyllura apo të hapura. Është shumë penalizues orari i funksionimit deri në orën 17.30, pasi pjesa më e madhe e qytetarëve janë në punë deri në atë orë dhe nuk do të kenë kohë të lirë për të kaluar në bare apo restorante”,- thotë ai.

Orari 17.30 konsiderohet mjaft penalizues për të gjitha bizneset në Durrës, si ato që tashmë janë hapur, ashtu edhe për ato që presin të hapen në ditët në vijim. Qeveria Rama deri më sot vazhdon ta përfshijë bashkinë e Durrësit në listën e 6 njësive vendore të konsideruara zonë e kuqe, pavarësisht se qyteti bregdetar ka vetëm një rast aktiv me koronavirus përgjatë një muaji dhe të gjithë të prekurit janë të shëruar prej më shumë se një jave.

Qyteti bregdetar, i goditur shumë fort në harkun e pak muajve nga tërmeti dhe Covid-19, tenton të ringrihet, por biznesi ndien mbi kurriz barrën e masave shtrënguese dhe uljen e ndjeshme të klientelës.

M.B.