Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të financojë rehabilitimin e dy prej rrugëve kryesore në qytetin bregdetar. Me një fond që kap vlerën rreth 190 milionë lekë do të rehabilitohen rrugët “Dëshmorët” (nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala” deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve) dhe “Egnatia” (nga rrethrrotullimi i stacionit të trenit deri tek “Flagship” dhe nga shkolla “Jusuf Puka” deri tek kryqëzimi i rrugës “Grigor Durrsaku”).
Në pamundësi për të bërë rehabilitimin e këtyre rrugëve me fondet e veta, bashkia ka dorëzuar projektet respektive tek FSHZH, që njëkohësisht ka financuar në Durrës edhe projektin e shëtitores “Taulantia”.

Punimet deri tani kanë nisur tek sheshi “Pranvera”, ndërsa pritet që në javët në vazhdim të shtrihen edhe në dy akset respektive. Por ajo që bën përshtypje tek tabela sqaruese e punimeve që do kryhen në këtë projekt është mungesa e një date për fillimin dhe mbarimin e punimeve. Siç mund ta shihni qartë në foton që po publikon DurrësLajm, të vetmet të dhëna që janë fshirë në tabelë janë Afati i kontratës dhe Përfundimi. Duke mos përcaktuar një datë të saktë se kur nisin dhe kur përfundojnë punimet, rikonstruksioni i këtyre dy akseve mund të zgjatet në kohë, shumë më tepër sesa koha reale e zbatimit të projektit dhe pasojat pritet t’i vuajnë banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Çfarë synojnë investimet në këto dy rrugë kryesore?
Rruga “Egnatia”, loti II
Rikonstruksioni i rrugës “Egnatia”, loti II, është vazhdim i dy projekteve të zbatuara në aksin në fjalë dhe kuartallet. Duke qenë se rruga “Egnatia” është përmbytur gjithmonë, kur në qytetin bregdetar binte shi, është parashikuar vendosja e dy kolektorëve të ujërave të bardha në të dy anët e trotuareve. Ndërsa kanalizimet e ujërave të zeza do të lidhen me dy kolektorët që ndodhen në anën e portit për të vijuar më pas me kolektorin e rrugës paralel me portin. Në rikonstruksion përfshihet edhe vendosja e disa stolave, 2 vaskave ujore, ndriçimit dhe gjelbërimit.
Përgjatë këtij aksi është parashikuar edhe ndërtimi i disa xhepave për parkimin e automjeteve, pasi aksi rrugor, pas rikostruksionit nuk do të ketë gjerësinë aktuale. Gjatësia e përgjithshme e projektit në aksin e tij është 200 m linear.
Rruga “Dëshmorët”
Rru
ga ekzistuese ka gjerësi 15 m nga kryqëzimi i rrugës “Dëshmorët” me rrugën “Mujo Ulqinaku” deri në kryqëzimin e sheshit “Pranvera”, me trotuare mesatarisht 5m. Kjo rrugë i ka kanalizimet e ujërave të bardha, por për shkak të problematikës së kësaj zone në rastet e përmbytjeve gjatë shirave, parashikohet vendosja e dy kolektorëve të rinj në të dyja anët e trotuareve për mbledhjen e tyre. Gjithashtu parashikohet ngritja e pusetave në rrugë dhe trotuare.
Projekti i propozuar ruan të njëjtin aks me të rrugës “Dëshmorët”. Përmasa e rrugës ku qarkullojnë automjetet nga sheshi “Pranvera” deri në kryqëzimin “Mujo Ulqinaku” është 8m, duke ruajtur nga të dyja drejtimet korsitë e parkimit me nga 2.5m dhe 3.2m secila. Trotuaret variojnë nga 4.5m gjerësi deri në 17 m, duke bërë të mundur vendosjen e stolave për qytetarët, shtylla ndriçimi dhe pemë të reja. Trotuaret në fillim dhe në fund të tyre zgjerohen, duke krijuar vendkalime për këmbësorët dhe xhepa për parkimet e makinave.


Në kryqëzimin te sheshi “Pranvera” te rrethrrotullimi, kuota e rrugës do të jetë njësoj me atë ekzistuese. Kryqëzimi do të rregullohet me një rrethrrotullim me diametër 16.70m dhe dy korsitë e qarkullimit 3.5 m secila.

M.B.





