Ministria e Shëndetësisë ka dërguar sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kopje të akteve, për tenderat të cilët u cilësuan si sekrete. Lajmi është bërë i ditur për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Klodiana Lala.

Fillimisht këto tendera u denoncuan nga Partia Demokratike. SPAK ka marrë në dorëzim dokumentet dhe do të bëjë vlerësimin e tyre.

Prokuroria e Posaçme kërkoi informacion nga institucioni që drejtohet nga Ogerta Manastirliu. Mësohet se u kërkua informacion nga Ministria dhe në të njëjtën kohë iu drejtua me shkresë zyrtare edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Të premten, më 8 maj ministria na vuri në dispozicon një informacion dhe na bëri me dije se inspektorët e KLSH kishin filluar auditin”, tha burimi.

Tenderat e klasifikuar sekretë u bënë objekt përplasjes të forta mes Partisë Demokratike dhe institucionit të Shëndetësisë. Opozita akuzoi Ogerta Manastirliun se po bënte përpjekje për të zhdukur provat dhe ka shkuar deri aty se i vuri zjarrin institucionit.