Jep dorëheqjen nga detyra e nëndrejtorit të Kadastrës Durrës, Leonard Kadrimi.
Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur për DurrësLajm se nëndrejtori ka paraqitur dorëheqjen për arsye personale, ditën e premte. Për këtë është vënë në dijeni drejtoria qendrore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e cila pritet të miratojë këtë vendim të Kadrimit.
Ndërkohë, auditi i kryer një muaj më parë në Kadastrën e Durrësit nga drejtoria qendrore e ASHK-së ka kërkuar nisjen e procedurës së lirimit nga detyra të specialistit të Kadastrës, Artur Isaku. Po sipas të njëjtave burime, procedura e lirimit nga detyra është 3 mujore dhe gjatë kësaj kohe specialisti mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën pranë Kadastrës Durrës apo të largohet më herët nga detyra.
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme Durrës dhe ALUIZNI (tani Kadastra, pas bashkimit të Hipotekës dhe ALUIZNI-t) janë tronditur disa herë vitet e fundit pasi ish-drejtorë të saj janë liruar me bujë nga detyra (shkarkimi i ish-drejtorit Ardian Iljazaj nga kryeministri Rama) apo janë arrestuar në kuadër të operacioneve policore për tjetërsim pronash dhe “Shpërdorim detyre” (Ardian Iljazaj, Adrian Kona dhe Liridon Pula) apo për pasojat e shkaktuara nga tërmeti (Arben Isaku). Person në kërkim u shpall pas tërmetit të 26 nëntorit edhe kreu i ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi, i vetëdorëzuar disa javë më parë në polici dhe i lënë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” nga Gjykata e shkallës së parë Durrës, në fund të muajit mars të këtij viti.
M.B.





