Dyqanet e luleve kanë qenë ndër aktivitetet që i është dashur të qëndrojnë për rreth një muaj e gjysmë të mbyllur për shkak të masave të marra kundër përhapjes së Covid-19.
Por ashtu siç e prisnin, pronarët e këtyre dyqaneve në momentin e rihapjes konstatuan sa kanë qenë ndër më të prekurit për shkak të dëmeve të shumta që iu shkaktuan. Lulet e bimët kërkojnë kujdes çdo ditë, e një harresë totale për 6 javë i kushtoi atyre humbje të mëdha.
Enida Teço nga “Flower Park” në qytetin e Durrësit, tregon se pandemia e koronavirusit ka ndikuar rëndë në biznesin e saj, pasi ka hedhur rreth 80 % të mallit.
E njëjta ecuri na pohohet edhe nga dyqane të tjera që tregtojnë lule dhe bimë në qytet, të cilët kur janë rikthyer në dyqan kanë flakur thuajse 80 % të mallit e kanë marrë furnizim të ri, ndërsa xhiroja ditore ka pasur luhatje gjatë dy javëve.
Në pritje të një rimëkëmbjeje graduale duke u favorizuar edhe nga stina e pranverës, këto biznese të vogla janë përfituese të paketës së parë të ndihmës ekonomike e deri më tani pohojnë se kanë marrë këstin e parë të pagës.
S.L.





