Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të nisë nga puna të hënën pas më shumë se 2 muajsh ndërprerje.

Seanca do të zhvillohen bazuar në protokollet e sigurisë.

Përpara se të hyjë në institucion çdo punonjësi dhe anëtari të Komisionit do t’i matet fillimisht temperatura para se të futet në zyrë apo ambientet e KPK-së.

Po kështu, stafit të KPK-së përfshi dhe komisionerëve u kërkohet të respektojnë distancimin shoqëror prej dy metrash.

Për teshtitjen apo kollitjen, KPK u kërkon vartësve të saj të përdorin vendosjen e brryllit si dhe shamitë njëpërdorimshme.

Në rast se ndonjë nga stafi i KPK-së apo Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit rezulton me simptoma COVID-19 atëherë njoftohen autoritetet kompetente të shëndetësisë sipas rregullave të përcaktuara.

KPK do të lejojë median të jetë e pranishme si dhe publikun përgjatë zhvillimit të seancave duke respektuar rregullat e vendosura me doreza maska dhe distancim shoqëror 2 metra.

Në hyrje të seancave KPK njofton se do të ketë tunel dezinfektimi si dhe matje temperature si për pjesëtarët e medias edhe publikun.