Në periudhën e izolimit për shkak të pandemisë së Covid-19, fëmijët janë ata që iu është dashur të qëndrojnë më shumë të mbyllur në banesë.
Duke u gjendur përballë një situate të papërgatitur e në izolim, artdashësit e vegjël të Durrësit, përveç mësimeve të zhvilluara në kushtet online, kanë pasur mundësi gjatë kësaj periudhe të shkëputen sadopak nga interneti e të ushtrohen në instrumentet e tyre të preferuara.
Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, nuk e ndaloi Festivalin “Instrumentisti i Vogël” që këtë vit u zhvillua për herë të gjashtë, por i gjithi online. Madje interesi i pjesëmarrësve nga shkollat 9-vjeçare gjatë këtij edicioni ishte akoma edhe më i madh se vitet e shkuara.
Pas finales dhe vlerësimit të fëmijëve nga juria profesioniste, fëmijët fitues sipas kategorive përkatëse, u paraqitën njëri pas tjetrit në QKF për të tërhequr certifikatat vlerësuese.
Drejtori i QKF-së Avni Çuni, thotë se qëllimi ishte që fëmijët të mos merreshin vetëm me mësim online, por edhe të shkëputeshin nga bota e internetit e të niste kështu konkursi i instrumentistëve të vegjël.
“Në fazën e parë ishin 265 video dhe duke parë që prurjet ishin të mëdha, u bë një fazë e dytë ku u kualifikuan 102 video, të cilat kanë marrë dhe çmimet sipas profileve të instrumenteve.
Ndërsa sot ne menduam të bëjmë një ceremoni në kushte jonormale, që nxënësit një e nga një të vijnë të tërheqin rezultatet e arritura në këtë konkurs”, thotë Çuni.
Disa nga vogëlushët që takoi “DurrësLajm” ishin Donalda Demo, 11-vjeçarja nga shkolla “Turgut Ozal” që fitoi çmimin e dytë në Piano; Eol Myshketa nga shkolla “Vinçenc Prendushi” fitues i çmimit të tretë për Piano dhe Ajden Hasanaj nga shkolla “Ibrahim Kodra”, fitues i çmimit të dytë për Kitarë.
Fëmijët entuziastë e të kënaqur për çmimet e marra, thanë për kamerën e “DurrësLajm”, se pavarësisht që kanë qëndruar të mbyllur në shtëpi dhe shkolla e shokët iu mungojnë shumë, e kanë shfrytëzuar këtë kohë për të mësuar, për t’u ushtruar në instrumentet e tyre të dashura, madje dikush prej tyre edhe ka tentuar të gatuajë me mamanë në kuzhinë.
Ndërsa përgjegjësi i Sektorit të Veprimtarive Masive, Arian Plaku, i cili ishte dhe ideatori që konkursi të zhvillohej online, thotë se pas njoftimit që këtë vit mori shtrirje më të gjerë përmes rrjeteve sociale, videot nga ana e fëmijëve mbërritën shumë shpejt, madje ata ishin kujdesur edhe për dekorin e duhur që performanca e tyre artistike të dilte sa më bukur.
S.L