Lady Gaga nuk ka mbajtur dot lotët teksa fliste për pandeminë e koronavirusit  ndërsa përcolli një mesazh solidariteti për Italinë.

“Më vjen shumë keq për të gjithë personat që po vuajnë në këto momente në Itali. Kam të afërm në Siçili, ju premtoj që gjithçka do të shkojë mirë, çdo gjë do kalojë shpejt. Dua t’ju them që jeni në lutjet dhe në zemrën time. Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Disa miq të mi thonë që kur gjërat vështirësohen është momenti në të cilin Zoti është pranë teje në vështirësi. Uroj që kushdo që ndodhet në Italia të ndjejë përqafimin e diçkaje hyjnore, si krahët e një engjëlli rreth çizmes së bukur”, u shpreh e përlotur ylli i muzikës botërore në një videomesazh nga Los Angeles.

Kujtojmë që Gaga ideoi koncertin virtual “One World Together at Home” për të mbledhur fonde për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Lady Gaga, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Joanne Angelina Germanotta, është me origjinë nga Sicilia, ku ka ende të afërm.

Italia është sot ndër vendeve më të goditura në botë nga koronavirusi. Numri i vdekjeve atje ka mbërritur në mbi 28.700, ndërsa të infektuarit janë më shumë se 200.000.