Rutina familjare e mjekut Krisid Boshku ka ndryshuar kryekëput dy muajt e fundit. 34-vjeçari nga Durrësi, është angazhuar në vijën e parë të luftës me Covid-19, në spitalin e qytetit gjerman Gerolstein në landin Rheinlandpflaz. Frika e tij më e madhe nis pikërisht, pasi kalon derën e spitalit dhe niset drejt shtëpisë. I duhet të përmbahet për të mos përqafuar menjëherë vajzën 3-vjeçare, e cila i turret sapo e sheh të mbërrijë.
“Sapo futem në shtëpi, shkoj menjëherë në dush. Megjithë kujdesin e madh që tregoj në spital, asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt se nuk e ke marrë koronavirusin me vete. Fle në një dhomë më vete, për të mos rrezikuar bashkëshorten dhe vajzën. Një kolegu im madje ka marrë një dhomë me qira, këto kohë, që të mos rrezikojë familjarët. Ne nuk kemi frikë në spital, ku rreziku është më i madh, por në shtëpitë tona. I druhemi faktit se mund të sëmurim pa dashje njerëzit tanë të zemrës”,- tregon Boshku për DurrësLajm.
Për mjekun specializant të sëmundjeve të brendshme, puna në qendrën spitalore të përshtatur vetëm për rastet me Covid-19, është një sfidë e përditshme. I duhet të paktën gjysëm ore në ditë të vishet dhe zhvishet me veshjet speciale, me dy maska, dy palë doreza etj. Të gjithëve u duhet të mbrohen dyfish gjatë kësaj kohe, megjithëse mbajtja e maskës për një kohë të gjatë nuk është aspak e lehtë për mjekët e infermierët. Fatmirësisht, dy javët e fundit, falë masave shtrënguese të ndërmarra nga qeveria gjermane, situata e të infektuarve po shkon drejt përmirësimit. Tani kanë rreth 30-40% raste më pak nga sa regjistroheshin pak javë më parë.
“Ne jemi në gjendje gatishmërie dhe mund të përballojmë deri në 90 pacientë, 11 prej të cilëve në terapi intensive”,- thotë Boshku, ndërsa thekson se mosha mesatare e fataliteteve është 70 vjeç, një moshë që konsiderohet e re për jetëgjatësinë mesatare të popullsisë në Gjermani.
Boshku ndihet mirë që Gjermania ishte ndër vendet evropiane me numrin më të ulët të vdekjeve nga Covid-19, pavarësisht numrit të lartë të të prekurve. Sipas tij, e gjithë kjo është meritë e sistemit shëndetësor gjerman dhe aparaturave shëndetësore që janë në shërbim të çdo pacienti.
Në ndryshim nga herët e tjera, kur pacientët e sëmurë mund të takonin familjarët, të prekurit nga Covid-19 i kanë rreptësisht të ndaluara kontaktet. Për Boshkun kjo ndoshta ka qenë pjesa më e vështirë për të si mjek dhe për të sëmurët.
“Kur kuptojnë se do të futen në repartin e terapisë intensive ata nisin e ndihen keq shpirtërisht. Gjëja e parë që pyesin është sesi do të komunikojnë me familjarët. U mungon vërtet kontakti fizik, por fatmirësisht falë teknologjisë ata mund të komunikojnë përmes video-telefonatave me familjarët. Ne jemi kujdesur t’ua mundësojmë këtë pjesë, pasi për ta komunikimi me njerëzit e dashur është mjaft i rëndësishëm”.
Në spitalin ku Krisid Boshku shërben nuk ka të prekur nga koronavirusi mes bluzave të bardha.
“Fatmirësisht deri tani asnjë prej nesh nuk është prekur nga Covid-19, por njoh 3 mjekë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës që janë aktualisht në karantinë, sepse kanë rezultuar pozitivë. Deri tani janë me simptoma të lehta dhe po kurohen në shtëpi”,– rrëfen ai.
Nisma e shoqatës e mjekëve shqiptarë në Gjermani
Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, rreth 100 mjekë shqiptarë që punojnë në Gjermani u ofruan vullnetarisht të jepnin konsulta falas, të rekomandonin medikamente apo t’u vinin në ndihmë shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje.

Përmes rrjeteve sociale dhe faqes në rrjete sociale të shoqatës Gesellschaft der Albanischen ÄRZTE in Deutschland e.V ata qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me emigrantët shqiptarë. Për t’ua thjeshtësuar komunikimin shqiptarëve atje, mjekët janë ndarë në ekipe të veçanta në 16 landet e Gjermanisë, ku secili grup ka kryetarin, një nënkryetar si dhe një grup anëtarësh.
“Duke u alternuar njëri me tjetrin, ne u kemi ardhur në ndihmë qindra shqiptarëve këtu. Ne kemi publikuar numrat tanë të telefonit, adresat e e-mail-it etj duke u mundësuar kështu të gjithëve të na kosultojnë. Për vetë faktin që është një sëmundje e panjohur edhe për ne, në fillim shumë kërkonin të dinin më shumë për koronavirusin, bënin pyetje sepse dyshonin se mos ishin prekur etj. Kjo formë organizimi e shoqatës ishte mjaft frytëdhënëse”, – thotë Boshku, i cili ka qenë gjatë të gjithë kësaj kohe në kontakt virtual me shumë emigrantë shqiptarë, duke u ofruar konsulta, medikamente madje edhe trajtim mjekësor në spitalin ku punon, nëse ishin të prekur nga koronavirusi. Ai është kryetar i grupit të mjekëve në landin ku banon, prandaj krahas punës në spital, një angazhim thuajse i përditshëm mbetet komunikimi në rrjete sociale me të njohur e të panjohur që i shkruajnë apo telefonojnë.
Shoqata ku ai aderon ka në përbërje rreth 300 mjekë, por numri i bluzave të bardha nga Shqipëria është shumë më i madh. Nga statistikat e deritanishme janë rreth 800 mjekë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria vitet e fundit për t’u specializuar dhe punuar në Gjermani. Ndërkohë nga Kosova, numri është dyfish më i lartë, rreth 1500. Për Boshkun, largimi i mjekëve bëhet për dy arsye kryesore.
“Unë u largova para 6 viteve nga Shqipëria, jam vendosur këtu në vitin 2014. Jemi integruar shumë mirë. Në Gjermani vlerësoj shumë mundësinë që na krijohet për t’u bërë mjekë më të mirë, për t’u rritur profesionalisht. Nuk duhet harruar edhe pagesa mjaft e mirë, sigurimi shëndetësor dhe të tjera benefite. Këto janë besoj arsyet që ashtu si unë, edhe shumë mjekë të tjerë shqiptarë kanë ardhur këtu”.
Koronavirusi në Shqipëri dhe masat kufizuese
Megjithëse i ngarkuar me punë, Boshku nuk ka lënë asnjë ditë pa u informuar mbi situatën e pandemisë Covid-19 në Shqipëri, e sidomos në Durrës, qytetin ku u lind e ku u rrit. Për të masat shtrënguese të ndërrmarra nga qeveria vlejnë për t’u përshëndetur, sepse ashtu siç rekomandon edhe OBSH-ja, karantinimi e izolimi janë mënyrat e vetme efikase për të parandaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës.
Por nga ana tjetër, Boshku ka një kritikë, lidhur me fashat orare të lëvizjes. Për të është e pakuptimtë, madje e gabuar, që të kufizosh njerëzit për një kohë të gjatë dhe më pas t’i lejosh liridalje në një fashë shumë të shkurtër kohore.
“Pamjet dhe fotot që pashë nga Durrësi ditën e diel më shqetësuan. Më duket një gabim trashanik, që nga njëra anë i fton njerëzit të kyçen brenda dhe nga ana tjetër lejon që brenda një kohe shumë të shkurtër të dalin mijëra njerëz. Nëse fashat orare do të ishin të zgjatura në kohë, nuk do të kishim një dyndje të atillë njerëzish ashtu siç pashë të dielën në Durrës. Nuk e kuptoj as pse nuk duhen lejuar sportistët të kryejnë stërvitje. Të pajisen me leje të veçantë dhe të stërviten individualisht ose në grupe jo më shumë se dy persona. Gjermania ka vërtet masa kufizuese, por asnjëherë nuk janë aplikuar këto fasha orare si në Shqipëri. Në gjykimin tim është një masë e gabuar, kushdo qoftë që e ka marrë një vendim të tillë”,- thotë Boshku.
Për mjekun durrsak, beteja me Covid-19 është ende në fillim, megjithëse shifrat në vendet evropiane më të goditura po flasin për një ngadalësim të përhapjes së virusit. Me vëmendjen e përqendruar tek pacientët për të cilët kujdeset çdo ditë dhe njëkohësisht me mbajtjen e një kontakti të rregullt me informacionet që vijnë nga Shqipëria lidhur me koronavirusin, Krisid Boshku pret me padurim ditën kur do të mundë të përqafojë pa frikë të bijën dhe bashkëshorten. Por deri atëherë, ai rekomandon kujdes maksimal për këdo, sepse çdo pakujdesi mund të kushtojë shtrenjtë për ne apo njerëzit e afërt.
M.B.





