Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton kanë dhuruar mbi 400 pica stafit shëndetësor në spitalet e Nju Jorkut.

Mjekët po përballen me një situatë tejet të rënduar me CoVid-19 dhe ky gjest nga Bill dhe Hillary ka ardhur në shenjë falënderimi për personelin mjekësor.

Bill dhe Hilary Cliton disa nga picat e dhuruara i zgjodhën nga piceritë me pronar shqiptar. Shqiptari Abi Krasniqi, menaxher i picerisë “Mr. Nick’s Brick Oven Pizza” në Nju Jork ka thënë se piceria e tij ka shpërndarë rreth 20 pica në spitalin Phelps Memorial.

“Gjesti ishte me të vërtetë përkrahje për mjekët dhe infermierët, por i ndihmoi edhe biznesit tonë po ashtu. Kjo tregoi që Bill dhe Hillary kujdesen për njerëzit dhe shtetin e tyre”.

Bill dhe Hilary Clinton në dhuratat e tyre bashkëngjitën edhe një shënim.

“Faleminderit që po mbroni komunitetet tona. Nga Bill dhe Hillary Clinton” thuhet në shënimin që shoqëron picat.