Po të mendosh punën e saj për spektaklet, koleksionet, veshjet që realizon për klientët, emisionet ku është e ftuar, mendon që i ngelet shumë pak kohë për fëmijët. Ndoshta vetëm sa për t’u lexuar një histori në shtrat në mbrëmje. Por nuk është aspak kështu. Stilistja ka vënë bast me veten që çdo pasdite, rreth orës 18.00, t’i mbyllë me çelës brenda ateliesë të gjitha punët, për të shkuar në shtëpi te fëmijët e saj, Xhoeli dy vjeç e gjysmë dhe vajza, Sara, 9.  “U kërkoj ndjesë njerëzve që më shkruajnë dhe nuk arrij t’u përgjigjem, por pasi mbyll punën në atelie, mundohem t’u kushtohem fëmijëve, sepse po të vazhdoj bisedat e punës edhe në shtëpi, jam e sigurt që nuk do arrij të qëndroj fare me ta”.

Nëse me të birin kalon pak orë në mëngjes, kur Sara mungon sepse niset për në shkollë, pasditeve janë të dy fëmijët në shtëpi. Dhe nëse Sara është diku, ajo di si ta mbushë hapësirën. E bija ka trashëguar pasionin për modën dhe talentin e Rezit, e cila, edhe pse pak mund ta dinë, ka studiuar për pikturë në Liceun Artistik dhe më pas në Akademinë e Arteve dhe vetëm më vonë është specializuar për dizenjim. Pothuajse çdo ditë ajo vizaton. Pjesa më e madhe janë skica fustanesh, të cilat pastaj vrapon t’ia tregoj së ëmës.

Kanë nisur të ndajnë edhe më shumë, mes tyre, tashmë kur pasionet dhe personaliteti i Sarës bëhen të dallueshme. Dhe Rezi arrin të shohë, jo me sy subjektiv, sepse ajo do ishte  dakord me çdo zgjedhje të fëmijëve të saj, një stiliste të ardhshme te e bija.  “Do më pëlqente shumë. Pse jo?! Ajo ka të dhëna. Është, jo vetëm e talentuar në pikturë, por është edhe shumë feminile, ka shumë shije. E shoh kur vendosim nota veshjesh të dyja dhe Sara godet në shenjë.” Me shije, por mbi të gjitha me një personalitet të spikatur që tani. “Sara është shumë Sara”.

Aq sa ndonjëherë, duke pasur të njëjtën këmbëngulje në mendime, ka raste kur harmonia e atyre të dyjave ngec dhe duhet të ndërhyjë bashkëshorti i Rezit, për të gjetur një rrugë të mesme. Sepse ja që ato, tani, kanë nisur të sillen si shoqe me njëra-tjetrën…Madje kjo, është pjesa më e bukur e historisë.

Rezarta gjithmonë i ka parë me sy të ëmbël mamatë e reja me vajza adoleshente, që kalojnë kohë bashkë si të ishin bashkëmoshatare dhe më në fund, po merr shijen e parë të kësaj marrëdhënieje. Ka ca ditë festash, kur ato të dyja shkojnë të bëjnë bashkë maniky e pedikyr, bëjnë flokët me kaçurrela, si dy shoqe. “Kam udhëtuar nja dy herë vetëm me Sarën dhe mund të them që është gjëja më e mrekullueshme. Ne të dyja që hamë mëngjes vonë, dalim në dyqane, e pyes “a ta ble këtë?” dhe ajo më thotë, “jo, nuk të shkon, merr këtë tjetrën”, pimë çaj, shëtisim, hamë akullore gjigante dhe gjithë ato ëmbëlsira të shijshme, por me shumë sheqer,  që në jetën e përditshme i kufizojmë. Unë gjithmonë kam pyetur veten kur do vijë ajo ditë që do të them ‘m’u rrit vajza’ dhe në këto raste e kam ndjerë këtë gjë më në fund. Por sigurisht kur e shoh në mes të rrëmujës me të vëllanë, në shtëpi, e bëj pyetjen nga e para: Kur do më rritet vajza?!”.

Sepse Sara organizon sfilata me veshjet e së ëmës, modifikon sallonin për të pasur sa më shumë vend për të kërcyer, vizaton mes lapsave e letrave të përhapura gjithandej dhe aktivizon edhe të vëllanë në të gjitha këto.

“Sara më kujton veten në shumë gjëra, jo vetëm në pikturë, një talent që ne e kemi në familje. Shtëpia ime e fëmijërisë ka qenë dhe vazhdon të jetë plot me pikturat dhe skulpturat e tim eti, që edhe pse nuk është profesionist, është shumë i zoti. Ajo ka dëshirë të kërcejë. Vendos muzikën, shtyn tavolinën që ta ketë të gjithë hapësirën e lire dhe nis të kërcejë, fiks siç bëja unë dikur. Apo rrobat! Ka aq qejf të vishet me fustanet e mia dhe këpucët me taka! Madje ia vesh edhe djalit dhe vetëm kur i dëgjoj tek vijnë tak-tuk me këpucët e mia që u dalin nga këmbët.” Sigurisht Rezarta nuk është dhe aq e lumtur kur i sheh kështu… Mundohet t’ia shpjegojë Sarës që veshjet  mund të dëmtohen, por ajo e dëgjon aq sa dëgjonte Rezi vetë, të ëmën, kur i vishte pallton e vetme “të mirë”, që e mban mend si sot: “kanellë me një jakë pelush ngjyrë kapuçinoje”.

Shumë prova, sfilata, me raste taka dhe maja buzëkuqësh të thyer dhe në fund, e lodhur nga e gjitha kjo, Sara dorëzohet, ulet diku, ndërsa këpucët dergjen, larg e larg, në fatin e tyre. “Është ai momenti kur vihesh në vështirësi nëse dikush të thotë që do vijë në shtëpi. Shtëpia në atë kohë as nuk njihet fare nga rrëmuja që bëjnë ata të dy. Ka vetëm nja 7 minuta qetësi. Është koha kur pasi janë lodhur së kënduari, vrapuari, kërcyeri, ulen para një filmi vizatimor, ose marrin letrat e lapsat për të vizatuar. Por sigurisht kjo zgjat vetëm 7 minuta. Pastaj gjithçka fillon nga e para.”

Sara, 9 vjeçe dhe Xhoeli vetëm dy vjeç e gjysmë, kanë të ngjashëm vetëm këtë pasion për rrëmujën. “Në gjithçka janë të ndryshëm. Sara është e vendosur, ka shumë personalitet, pretendon të jetë gjithmonë e para në gjithçka dhe e arrin këtë. E arrinte kur ishte fëmijë i vetëm dhe mbesa e vetme e fisit dhe vazhdon edhe tani, kur ime motër është bërë mama dhe Sara është bërë me vëlla. Nëse do blejmë lodra të reja, ajo përfiton tri, ndërsa Xhoeli vetëm një. Ai është kaq i butë ndërkohë, i qetë, i urtë… Janë krejt të ndryshëm. Edhe në prirje. Xhoeli, edhe pse shumë i vogël, kuptohet që kap muzikën, ndërsa Sara është e talentuar në kërcim dhe pikturë.” Dhe prandaj, nëse dikush do bëhet stilistë nga fëmijët e Rezartës, me siguri do të jetë e bija.

Marka e Skifteri Collection, është gati, “S&S”, si Sara dhe Skifteri. Duhet vetëm kohë. “Ne nuk kemi ndër mend t’i ndrydhim fëmijët. Ata do të zgjedhin atë që duan dhe që kanë talent. As mua nuk më ka ndrydhur familja dhe mendoj që kam bërë gjithmonë zgjedhjet e duhura pikërisht nga liria dhe besimi që ata patën. Nëse një fëmijë e kufizon, ai rrezikon të dalë nga rregullat sepse e intrigon shkelja e tyre, ndërsa po të jetë i lirë, ai mëson çfarë është përgjegjësia dhe mund t’ia besosh vendimet”.

Ky është modeli që ka zgjedhur Rezi për rritjen e fëmijëve!

Marrë nga Revista Class