Zërat brenda Partisë Demokratike që kërkojnë largimin e kreut të PD-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, po shtohen. Por për deputetin Edi Paloka, Berisha është i vetmi që nuk ka asnjë përgjegjësi për rezultatin e marrë.

Sipas tij, edhe sikur të mos ishte ajo farsë politike më 11 maj, Berisha është njeriu që e ngriti PD-në duke e nxjerrë nga humnera ku ndodhej.

“Pak muaj para zgjedhjeve, Berisha ishte në arrest shtëpie, PD nuk kishte financa dhe për 2 muaj ai e mori fushatën. E mbajti PD në krahë. Unë lodhesha duke parë takimet e Berishës, një 80 vjeçar që bënte nga 10 takime. E mori PD-në në krahë, e patë pritjen që i bënë kudo në Shqipëri. Të gjithë ne kemi përgjegjësi dhe ai jo”, tha Paloka.

Teksa e ka cilësuar të drejtë, vendimin e Berishës për të mos hequr dorë nga drejtimi i PD-së, megjithëse e përmban statuti, nëse humb zgjedhjet, Paloka paralajmëroi për një moskandidim të tij në të ardhmen si deputetë. E megjithatë, ai nënvizoi se do të jetë në PD duke pritur të shohë Ramën të rrëzohet nga pushteti.

“Çdo vendim që unë mund të marr në të ardhmen, ta shpjegoj, sigurisht unë marr vendime personale dhe jeta është e imja. Në politikë s’ka vendime personale. Nesër mund të mos hyj në asnjë kandidim, por nuk do iki nga politika. Do jem përballë Ramës dhe do jem aty kur do të ndodhë ajo që kam thënë më parë në parlament për të cilën dhe u penalizova”, tha Paloka në studion e News24.