Sot është Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit. 29 prilli i çdo viti promovon vallëzimin si një formë arti universal, për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së tij kulturore dhe arsimore.
Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit u krijua nga Komiteti i Vallëzimit i Institutit Ndërkombëtar të Teatrit (ITI), partneri kryesor për artet interpretuese të UNESCO-s. Që prej 1982, ITI zgjedh çdo vit një personalitet të shquar të vallëzimit për të shkruar një mesazh. Për të përcjellë mesazhin e këtij viti u përzgjodh koreografja Crystal Pite nga Kanadaja.
“Është e vështirë të imagjinohet se çfarë mund të bëjë një artist i vallëzimit në një botë që ka kaq shumë nevojë për ndryshim dhe shërim rrënjësor. E megjithatë arti, ashtu si shpresa, është një formë dashurie. Arti, kokëfortë përballë përdhosjes, është një tretës për mendjet e ngurta dhe një balsam për t’i shëruar ato”, thotë koreografja kanadeze.
Me një karrierë 35-vjeçare, Crystal Pite ka krijuar më shumë se gjashtëdhjetë vepra për kompani të tilla si The Royal Ballet, Nederlands Dans Theatre, The Paris Opera Ballet dhe The National Ballet of Canada.
Ajo është e njohur për veprat që trajtojnë me guxim tema të tilla si trauma, varësia, konflikti, vetëdija dhe vdekshmëria; vizioni i saj i guximshëm dhe origjinal i ka fituar asaj vlerësim ndërkombëtar dhe ka frymëzuar një brez të tërë artistësh vallëzimi.





