Kërkesa për transferimin përfundimtar të pronës, ku po ndërtohet parkimi i ri publik pranë stacionit të trenit në Durrës, investim ky i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, u kthye në temë debati në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak Durrës.

Pyetjes lidhur me lejen e ndërtimit për këtë investim publik të bërë nga nënkryetarja e KB-së Edlira Devolli, nënkryetari i bashkisë Gentian Kasmi i dha një përgjigje evazive.

“Unë nuk kam informacion aktualisht, por besoj se tema e ditës është pika e rendit të ditës dhe ka të bëjë me sektorin e pronave, me kalimin e një pjesë të pronës në favor të bashkisë. Në logjikën time është jashtë rendit të ditës por do të marr një informacion nga drejtoria përkatëse dhe do ju informoj”.

Këshilltarët e djathtë ngritën shqetësimin se ky investim publik po realizohet pa marrë fillimisht lejen e ndërtimit. Ndërkohë që kërkesën për të bërë transferimin përfundimtar të pronës, këshilltari Ardian Muka e cilësoi të vonuar pas 23 vitesh që PS qeveris Durrësin.

“Është hera e tretë apo e katërt që vihet në Këshill për të kërkuar saktësimet e pronave shtet, saktësimet e pronave të bashkisë ndërkohë që nga forca juaj prej 23 vitesh administrohet bashkia. Fakti që vihet dhe kërkohet në çdo mbledhje nga një apo dy raste saktësime pronash, por edhe certifikata pronësie, kjo tregon se bashkia ka një mungesë totale kontrolli mbi territorin”.

Materialet e vëna në dispozion këshilltarëve lidhur me pronësinë e hapësirave të tokës rreth e qark parkimit shërbyen për një tjetër diskutim mes këshilltarëve, sepse disa nga sipërfaqet rezultonin në pronësi të bashkive të tjera.

“Pika b tek kartela e pasurisë kodi unik me 036 në fund. Adresa e pronarit bashkia, rruga “Kodër Kamëz”. Bëhet fjalë për një pronë tek stacioni i trenit në Durrës dhe na shkruhet rruga “Kodër Kamëz”. Janë kartelat e pasurisë që na keni vëne ju në dispozicion. Adresa e pronarëve bashkia Elbasan, bashkia Tiranë, bashkia Tiranë rruga”Vaso Pasha” , bashkia Elbasan rruga” Abdyl Haxhiraj”,- deklaroi Dritan Burgija, moment ky që shkaktoi dhe të qeshura në sallë.

Kryetari i Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi, njëkohësisht ish-drejtor i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i konsideroi lapsuse këto adresa për të cilat deklaroi se nuk është faji i bashkisë, por i Kadastrës. Këshilltarët e djathtë kërkuan shtyrjen e miratimit të kësaj pike në një tjetër mbledhje, por ajo kaloi në votim, ku mori 30 vota pro dhe 12 kundër.

M.B.