A ka pasur Durrësi mure fortifikuese në pjesën lindore të qytetit? Kjo është pyetja që mundon arkeologët dhe së cilës ende nuk i është dhënë një përgjigje përfundimtare. Ekspedita e fundit arkeologjike që ka nisur pranë pallatit të sportit “Ramazan Njala” mund t’i japë zgjidhje këtij misteri përsa i përket shtrirjes kronologjike dhe topografike të mureve fortifikuese.

“Ajo që gjetëm vitin e kaluar ishte një strukturë me elemente që përngjasonin me një tjetër linjë të njohur muri që kemi në anën veriore, të së njëjtës periudhë. Kjo është arsyeja pse u rikthyem, sepse kishim nevojë që këtë strukturë të identifikuar vitin e kaluar ta zgjeronim dhe ta kuptonim më mirë në formën e vet planimetrike”,- thotë arkeologia Shkodra për “DurrësLajm”.

Prej ditësh tashmë arkeologia Brikena Shkodra vijon gërmimet, të cilat janë realizuar deri në thellësinë 1.5 metra, por nuk mund të shkojnë dot përtej 2 metrave, për shkak të ujërave nëntokësore.  

“Këtu ndodhemi në relievin më të ulët të qytetit, fare pranë hapësirës kënetore që ka rrethuar gjithnjë anën lindore të Durrësit dhe ujërat nëntokësore dalin menjëherë në thellësinë 1.4 metër prandaj e kemi problem të vazhdueshëm. Punojmë me një pompë gjatë të gjithë kohës, që të kemi mundësi të evakuojmë ujin jashtë dhe të vazhdojmë gërmimin. E sigurt është që nuk kemi mundësi të shkojmë shumë thellë, më shumë se dy metra thellësi nuk është e mundur në këto kushte thellësie” .

Muret e zbuluara deri më tani nga kjo ekspeditë dyshohet se i përkasin shekullit V të erës sonë. Por do të duhen të paktën edhe dy javë të tjera kohë që të mund të hidhet më shumë dritë mbi këto rrënoja historike. 

M.B.