TIRANË – Që prej muajit janar të këtij viti, aborti nuk do të kryhet më në klinika, por në spitale me shtretër, gjë që vjen në respektim të ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë. Ndërkohë, zbatimi i ligjit do të monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë. 

"Ka pasur klinika të licencuara ku kryhej aborti, ky licencim përfundonte në muajin janar dhe pas këtij muaji nuk do të ketë klinika ku do të kryhet aborti. Kjo vjen në përputhje me ligjin", – tha drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. 

Sipas tij, "ligji ka përcaktuar që ndërhyrjet invazive, çka nënkupton dhe abortin, lejohen të realizohen vetëm në institucionet shëndetësore që kanë infrastrukturë të domosdoshme, çka do të thotë sallë reanimacioni dhe sallë kirurgjie, kushte që i plotësojnë institucionet me shtretër". 

Ndërprerja e shtatzënisë në vend rregullohet me ligjin "Për ndërprerjen vullnetare të Shtatzënisë", ligj bashkëkohor dhe i mbështetur mbi eksperiencat e vendeve te zhvilluara europiane. Ligji parashikon në nenin 1 të tij respektimin e çdo qenieje njerëzore që në fillim të jetës. Ky parim nuk shkelet, përveç rasteve kur është e domosdoshme dhe në kushtet e përcaktuara në këtë ligj. Ligji në nenin 1 të tij thekson se aborti në asnjë rast nuk duhet të përdoret si metodë e planifikimit familjar. 

Në ligj parashikohet ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, me kërkesën e nënës deri në 12 javë shtatzënie. Shtatzënia deri në 22 javë mund të ndërpritet për një sërë arsyesh shëndetësore, përfshirë edhe ato psikosociale të përcaktuara, në zbatim të këtij ligji nga Ministria e Shëndetësisë. Në to nuk përfshihet aborti për zgjedhjen e seksit.