Mbrojtësi i djathtë, Achraf Hakimi, që po luan sezonin e tij të dytë te Paris Saint-Germain, është akuzuar për sulm seksual nga një 23-vjeçare.

Viktima e supozuar ka paraqitur një padi në stacionin e policisë Créteil Val-de-Marne.

Marokeni dhe “e dëmtuara” filluan të bisedonin përmes rrjetit social Instagram më 16 janar dhe të shtunën mbrëma Hakimi pagoi një UBER në mënyrë që ajo të shkonte në shtëpinë e lojtarit, në Boulogne-Billancourt, në periferi të Parisit.

Sipas denoncimit, Hakimi dyshohet se kundër dëshirës së vajzës e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale, duke përfshirë edhe depërtimin manual, pavarësisht kërkesave të saj të vazhdueshme për të ndërprerë.

Për policinë franceze, vajza ka thënë se ka arritur të çlirohet pasi ka goditur me shqelma Hakimin dhe i ka kërkuar ndihmë një shokut të saj, i cili ka shkuar për ta marrë në vendngjarje.

Le Parisien shpjegon se Hakimi, i cili humbi ndeshjet e fundit të PSG-së (Lille dhe Marseille) për shkak të dëmtimit, ishte i vetëm në shtëpi gjatë fundjavës, pasi kishte përfituar nga kjo situatë për të përmbushur aktin, pasi gruaja dhe dy fëmijët ishin me pushime në Dubai.