Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka përfituar 15 milionë euro nga shitja e një vile plazhi në Itali. Shifra është publikuar në deklarimin e tij të përvitshëm të pasurisë, pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive.
Sipas dokumentit, prona e shitur përmban truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 251 m2, e cila ishte e regjistruar 100% në emër të deputetit.
Transaksioni raportohet të jetë mbyllur në fund të shtatorit 2025, pak ditë pasi Agron Shehaj ka marrë mandatin e deputetit.
Pas shitjes së kësaj vile, Shehaj ka raportuar gjithashtu edhe lëvizje të tjera në llogaritë e tij, mbledhjen e disa huave dhe shtim të llogarive bankare.
Si të ardhura ai ka raportuar rrogën si deputet 2.7 milionë lekë, të ardhura nga shitja e një tjetër pasurie 150 mijë euro dhe të ardhura të tjera mbi 2 milionë euro.
Në një reagim përmes rrjeteve të tij sociale, Shehaj ka deklaruar se vlera e pronës që ka shitur është 15 milionë euro për shkak se ndodhet në plazhet e Italisë.
“Kjo është vila ime e plazhit në Itali që e kam shitur 15 milionë euro. Tani habiten këta, ku i gjeti ky gjithë këto para. Me punë të ndershme. Në 20 vjet kam punësuar mbi 50 mijë të rinj dhe të reja. Kemi sjellë këtu me qindra milionë euro që kanë shkuar në rroga dhe taksa. Jam krenar për çfarë kam bërë, sepse një gjë është të pasurohesh, tjetër gjë është të pasurohesh në mënyrë të ndershme”, deklaroi Shehaj.





