Ramazan Manovi, 65 vjeç, agronom, banor i fshatit Xhafzotaj fermë, ish-komuna e Rrashbullit, u kujton deputetëve të Durrësit, ministrit Ilir Beqaj, premtimet që i dha në shtëpinë e tij, para se të votohej deputet i Durrësit. “Ilir Beqaj së bashku me Klodiana Spahiun, Shkëlqim Troplinin, Hazir Gashin të gjithë ishin në shtëpinë time, në bahçe shtruan koktej për 50 banorë të fshatit dhe dhanë shumë premtime. Tani të gjithë na i kanë mbyllur telefonat, nuk kemi ku të gjejmë asnjë. Më morën si të parë të fshatit, për të na bindur të votonim për ta, tani nuk na shohin më me sy”, thotë ai.

Ramazan, kur erdhi ministri Beqaj te ju? Çfarë ju ka thënë?

Erdhi me të gjithë të fushatës elektorale. Nuk i kërkova asgjë për veten time. I thashë vetëm të rregullonte komunitetin këtu, kushtet e tyre. Shtruan koktej në bahçen time, me 50 banorë të fshatit. Në premtoi shumë gjëra, vetëm që ne të votonim për Partinë Socialiste. Na premtoi se do të merrej personalisht vetë me shtrimin e rrugëve me asfalt në zonën tonë prej 396 familjesh dhe me ndihmën ndaj banorëve. Shumë premtime na ka bërë në 2013-n.

Çfarë ju premtoi?

Na premtoi rregullimin e rrugës. Do keni drita, ujë, do t’ju asfaltojmë rrugën, na premtoi që do ta bëjmë unazën duke e lidhur me rrugën e Ndroqit. Na premtoi pastrimin e kanalit të madh që është bërë shkak për përhapje të sëmundjeve të rënda, dhe u bënë kaq vjet pa bërë asnjë gjë. Në këtë kanal, të gjitha mbetjet e pularive, derrave dhe të përpunimit të vajrave derdhen aty duke asfiksuar të madh e të vogël në këtë fshat nga era e rëndë e nga ndotja.  

Po më pas? Ju janë zgjidhur?

Problemeve të komunitetit nuk kam arritur t’u gjej asnjë zgjidhje, sepse nuk kemi ku t’i gjejmë ata që na premtuan. Ne e votuam si komunitet i gjerë Partinë Socialiste. Ata na premtuan shumë gjëra, por në fakt pas 3 vjetësh, asnjë prej tyre nuk është parë më në zonën tonë. Ky është problem më i madh me të zgjedhurit tanë.

Cili është problem juaj më i madh?

Të mbyllin kanalin e madh dhe të na lënë të jetojmë si njerëz normalë. Ku ta gjejmë? Pasi mori votat, të gjithë janë zhdukur, sepse nuk janë deputetë që zgjidhen direkt nga populli, zgjidhjen me lista të mbyllura, na gënjejnë dhe ikin, siç kanë bërë në 25 vjet. 

K.H.