Deputeti demokrat Saimir Korreshi gjatë fjalës së tij në Kuvend, ironizoi qeverinë dhe AKSHI-n. Korreshi theksoi se sistemi për të cilin u hodhën miliona euro për ta modernizuar, AKSHI-n, tani është jashtë shërbimit. Demokrati u shpreh, se teksa qytetarët sorollateshin, ish-drejtoresha bëri pasuri miliona euro, ndërkohë që hiqej si e pastrehë.
Korreshi kritikoi edhe Ministrinë e Bujqësisë, duke theksuar se nuk po i përgjigjet nevojave të fermerëve të Myzeqesë, aq sa koha e keqe i dëmtoi apo përmbyti dhe tani ajo zonë po ha domatet me 5 mijë lekë. Në fund, Korreshi theksoi se qytetari është lënë në kushte mizerable dhe sipas tij, edhe sektori i bujqësisë po vuan nga kriza.
“Ishte koha kur aplikohej për lekët e naftës dhe u jepej atyre të Partisë Socialiste dhe çfarë mbetej, ndonjë pikë nafte, shërbeheshin për të tjerat. A quhet shërbim kur përmbytesh, apo kur u përmbytën mijëra hektarë në Lushnjë, apo kur uji vjen pik-pikë. Merr ndihmë ai me 5 lopë, por jo ai me 3 apo 4, pse? Mbarështimin e derrave thotë Ministria e Bujqësisë, se po s’pate 5 derra… në kufijtë e qesharakes, kjo është tallje. Ka vajtur domatja 5 mijë lekë, shërbim. Deri në këto kushte kemi arritur, që të hajë Myzeqeja domate me 5 mijë lekë, apo speci, se i griu ngrica. I shërbeu njeri këtyre? Askush.
Këto lidhen të gjitha me sistemet, me mrrokullat që vijnë vërdallë, ose kur shkon te doktori, mos thuaj ti se të dhëmb barku, thuaj më dhemb kraharori se është mbyll sistemi, për këtë është hapur. Ja ky është sistemi. Shërben sistemi? Opingat…? Ti aplikon, por vjen vërdallë mrokulla atje, viu-viu-viu, sistemi atje… Kaq shumë i keni shtuar ju këto sisteme sa dikur pensionisti paguante 500 lekë, kurse tani e keni çuar 10 mijë lekë, pra dikur jepje 500 lekë dhe tani do paguash 10 me shërbimet.
Kishte probleme sistemi, del pas 7 ditësh, paguan edhe kamat vonesën, se të thotë s’punonte sistemi, se i hëngri AKSHI, shishja e verës 200 mijë euro. I duheshin AKSHI-t se ishte hallexhie, ishte pa shpi, ishte me qira. Ajo rrinte në pishinë, oh-oh-oh, ne i jepnim para. Dolën një shtëpi, dy, tre katër, një gllënjkë 1 mijë euro, me jaht, në shërbim të popullit, edhe jahtin, patjetër, lodheshin shumë. Si Jovan Bregu, do magazinier, na bëhu magazinier.
Të marrim njerëz peng dhe t’i detyrojmë të tërhiqen, pse budallenj jemi ne, me verë atje, me arkë e brenda. Të dhënat tona te AKSHI, që e sulmuan iranianët, janë bërë si ato çorapet e grisura e që i var e duken atje vrima-vrima. Ky është sistemi i AKSHI-t. Po të vesh atje të presin me buzëqeshje “s’ka sistem, s’punon sistemi” thonë… shëndet e fjalë e vërtetë (i thotë një deputeti që tështin në sallë).
Kjo është e vërteta e hidhur! Qytetari është lënë në kushte mizerabël, bujqësia në kushte mizerabël. Ministria e Bujqësisë u thotë “ngrohuni njëherë në diell dhe me kismet flasim prapë” dhe kur vjen koha sistemi nuk punon prapë. Sistem gjithandej dhe sistemi spunon askund. U lumtë atyre të AKSHI-t, ata ikën në drejtim të paditur, ju i kërkoni në drejtim të paditur, vera iku në drejtim të paditur, vetëm jahti mbeti në port, meqë do bëni edhe këto portet e reja, të lozin këta të paditurit e tjerë se çfarë ndodh me paditurinë e sistemit tonë”, tha Korreshi.





