“Stadtluft macht frei” (“Ajri i qytetit na bën të lirë”) është një moto e shpikur në krahinat gjermane të Mesjetës, që u përhap me shpejtësi në të gjithë Europën qendrore-veriore dhe në Itali. Pas vitit 1000, këto rajone qenë në fakt të karakterizuara nga lindja e “qyteteve të lira” (“Burg” në Gjermani, “Comuni” në Itali – nga e cila rrjedh fjala “Bashki”) që i kundërviheshin sistemit feudal në aspektin ligjor dhe social. Në botën perëndimore, nëse një bujkrob arrinte të arratisej nga territori feudal dhe të gjente strehë në qytet, pas një periudhe relativisht të shkurtër (zakonisht një vit e një ditë) nuk konsiderohej më një skllav dhe pronari i tij nuk mundte ta kërkonte më. Qyteti europian anullonte dallimet klasore, ofronte mundësi për të rifilluar nga zero dhe dhuronte lirinë, duke e bërë atë simbol të tij.

Në një artikull të publikuar në revistën italiane “La Città del Secondo Rinascimento”, e botuar nga Regione Emilia Romagna, urbanisti Giancarlo Mengoli përshkruan përsosmërisht se çfarë domethënë të jesh “qytetar” në Europën perëndimore. Jo rastësisht, autori titullon artikullin e tij “Qyteti si pasuri e larmisë”, duke nënkupuar se kush nuk e kap sensin e titullit, nuk është një “qytetar” i vërtetë. Ja fjalët e Mengolit: “Kam filluar të kuptoj plotësisht vlerën e qytetit kur u largova prej tij. Kur lindi djali im, u transferuam në një lagje rezidenciale të mrekullueshme dymbëdhjetë kilometra larg nga Bologna, me të gjithë shërbimet për një jetë “moderne” (pishinë, tenis, club-house, etj.). Por që nga ai moment filloi pasioni im për qytetin, deri në pikën sa edhe të dielave vija e shëtisja në qendër të Bologna, dhe pas dy vjetësh ndjeva nevojën për t’u kthyer e jetuar atje. Pra, pikërisht kur nuk banoja kam kuptuar vlerën e qytetit. Qyteti është pasuria e larmisë dhe e së papriturës, e shumëformave të marrëdhënieve njerëzore dhe e takimeve të paplanifikuara: të gjitha gjëra që, nëse nuk ka densitet banorësh, nuk ndodhin. Nga qyteti lind liria. Të jetosh në një lagje-fshat rezidenciale është gjëja më pak e lirë dhe më monotone që ekziston. Je i mbikqyrur, jeton mes individësh të gjithë njëlloj dhe frekuenton gjithmonë të njëjtët njerëz. Ja përse kam zgjedhur, në mënyrë përfundimtare, të rikthehem në qytetar, dhe pra një njeri i lirë”.

Në mentalitetin urban të Perëndimit, kontrasti midis qytetit dhe fshatit është mbi të gjitha i natyrës sociale dhe fokusohet tërësisht në konceptin e “lirisë”. Historikisht, jeta sociale e fshatrave është e bazuar në transmetimin gojor të lajmeve, shpesh të reduktuara në thashetheme. Mjaftonte të shkohej nëpër kafenetë e sheshit për t’u gjetur të mbytur nga një lumë informacionesh “të dëgjuara të thëna nga të tjerët”: përgojosjet, llafet, përfaqësonin pjesëmarrjen kryesore të individëve në jetën e komunitetit. Asgjë nuk i shpëtonte kuriozitetit të njerëzve: as sekretet e krevatit të çifteve të martuara, as natyrisht skutat më të fshehura të dashurive klandestine nuk ishin të mbrojtura nga shikimet zhbiruese të shoqërisë. Tradita gojore triumfonte edhe në kuzhina ku gratë kryenin ritet e përditshme të “kafesë”, të “vizitave” dhe sidomos të kritikës sociale. Zakonet dhe veset e fshatarëve kaloheshin pa mëshirë në sitë, ashtu si të gjitha aspektet e politikës administrative vendore ishin të njohura dhe të komentuara akoma përpara se të dilnin nga zyrat publike. Pra, jeta rridhte nën një kambanë prej xhami transparente dhe askush nuk mundte të gëzonte as privacy as liri të vërtetë. Në fakt, kompaktësia e mentalitetit social mbyste pavarësinë dhe të drejtën për rezervim të individëve, duke i nënshtruar vazhdimisht me tiraninë e kontrollit të shumicës. Kjo jetë fshati, “e burgosur” dhe klaustrofobike, ka sjellur gjithmonë në rikonfirmimin se “ajri i qytetit na bën të lirë”.

Qytet perëndimor dhe qytet oriental: liri individuale kundër moralit kolektiv

Duhet nënvizuar se ekuivalenca “qytet = liria individuale” është një koncept ekskluzivisht europiano-perëndimor. Nëse është e vërtetë që format e para të qyteteve autonome dhe të organizuara lindën në Greqinë e Lashtë, është e vërtetë edhe se këto “polis” të vegjël ishin mbi të gjitha “komunitete”, pra fshatra të mëdha me strukturë sociale të mbyllur, të dominuara nga opinioni i një kolektiviteti kompakt. Jo rastësisht, në botën greke dënimi më i rëndë ishte ostracizmi, domethënë dëbimi i qytetarëve “të rrezikshëm” nga mikrokozmosi urban. Zakoni i ostracizmit parashikonte që të paktën 6000 qytetarë duhej të shkruanin mbi një copë enë balte (“ostrakon”) emrin e njeriut për t'u syrgjynosur, duke i hequr me këtë gjest çdo marrëdhënie sociale.

Në Lindjen e Mesme islamike, enët e baltës së grekëve transformoheshin në gurë me të cilët komuniteti vriste (dhe akoma sot vret) “të degjeneruarit”. Në fakt, edhe pse qytetet arabe dhe osmane ishin karakterizuar që nga fillimi i historisë së tyre nga një pavarësi administrative e madhe dhe nga trafiqe tregtare të dendura, ata nuk arritën kurrë – madje, nuk dëshiruan – të krijonin një atmosferë lirie të ngjashme me atë të Burg dhe të Comuni të Mesjetës europiane. Dinamikat urbane ishin të dominuara nga familje të mëdha klanike që ndiqnin interesa të kundërta njëra me tjetrën: bashkimi politik i qytetit ishte garantuar sidomos nga feja muslimane e përbashkët dhe nga ndjekja kompakte e zakoneve sociale të vendosura nga Kurani dhe nga Hadithet.

Në përgjithësi, të gjitha qytetet aziatike – ruse, indiane, kineze – edhe pse zgjeroheshin dhe lulëzoheshin me tregti, ishin të kontrolluara nga kasta e burokratëve apo nga kuvendet e pleqve, sipas logjikave hierarkike dhe patriarkale. Ishin këto grupe sociale dhe jo qytetarët që merrnin pjesë në pushtet. Struktura hierarkike dhe kundërvënia midis grupeve të interesit ndalonin çdo formë  bashkëpunimi kolektiv, duke i mohuar qytetarit pavarësinë vendimore. Prandaj në Lindje nuk u zhvillua kurrë koncepti i “borgjezisë” dhe nuk u prodhuan ato rryma të novacionit kulturor dhe ato sfida kundër traditës të cilat hodhën themelet e Europës moderne.

Qyteti europian i kuptuar si “vend i lirisë” lindi në një periudhë historike në të cilën ndikimi social i fesë krishtere ishte shumë i fortë dhe predikonte respektin absolut për individin dhe për zgjedhjet e tij. Pra, modeli urban i Burg dhe Comuni ishte përqendruar mbi individin e lirë dhe të përgjegjshëm, i cili e prish me traditën dhe krijon klasa të reja sociale – borgjezia dhe proletariati – në kundërshti me botën feudale të aristokratëve dhe bujkrobërve. Që nga ai moment qyteti u bë një vend i lëvizshëm, i ndryshueshëm, novator, ku marrëdhëniet sociale ishin bazuar në një larmi të madhe stilesh jete. Në sajë të densitetit të banorëve, qyteti garantonte edhe një anonimi të çmuar, që lejonte sjellje antikonformiste dhe krijimin e lidhjeve njerëzore vullnetare, të zgjedhura nga individi dhe jo të detyruara nga “lagjia”.

Akoma sot, në botën perëndimore, individualizmi mbetet vlera kryesore urbane. Banori i qytetit është i lirë nga shtypja e rretheve familjare dhe nga normat morale të komunitetit, është i lirë të lëvizë pa u dukur dhe të frekuentojë njerëz apo grupe të ndryshme, është i lirë të planifikojë apo të rindërtojë ekzistencën e vet sa më mirë e mendon. Ky stil jete është i mundur qoftë nga numri i madh i banorëve të qytetit – që i lejon individit të bëhet “i padukshëm” në mes të turmës – qoftë nga imigracioni i brendshëm dhe i huaj që prek bërthamat urbane, duke vënë banorët e tyre në kontakt të vazhdueshëm me kultura dhe zakone të ndryshme, duke hapur mendjet e tyre dhe duke i bërë më tolerantë. Në këtë mënyrë arrihet në atë “indiferencë pozitive” që frymëzon sjelljet e vërteta urbane, duke çuar qytetarët që të shikojnë punët e tyre dhe jo ato të të tjerëve.

Ta bëjmë fshatin si qyteti apo ta bëjmë qytetin si fshati?

Rezulton i qartë se modeli social urban perëndimor është thellësisht, filozofikisht i ndryshëm nga ai oriental. Por në cilën orbitë pozicionohen qytetet shqiptare dhe sidomos Durrësi ynë? Shqipëria, portë historike e komunikimit midis këtyre dy botëve, ka përjetuar pesë shekuj brenda sferës kulturore osmane dhe pra është formuar me një mentalitet urban të tipit oriental. Për më tepër nuk duhet harruar kurrë se përpara vitit 1945 vetëm 15% e shqiptarëve banonin në qytete dhe akoma në vitet Pesëdhjetë 80% e popullsisë ishte klasifikuar nga regjimi si “rurale”. Përballë kësaj situate – pak qytete të vegjël me traditë osmane dhe një sasi tejet e madhe fshatrash, mëhallash dhe kullash të izoluara prej shekujsh – sistemi komunist nuk ka stimuluar një urbanizim të vërtetë. Në fakt, asnjë diktaturë nuk promovon përhapjen e një kulture “qytetare”, sepse ajo do të çonte në mendimin e lirë, në zgjedhjen e lirë dhe në sjelljet e lira sociale. Qyteti i vërtetë është pashmangshmërisht kaotik, dhe kaosi nuk është i kontrollueshëm nga ana e pushtetit diktatorial. Dhe pikërisht për të evituar kaosin dhe larminë e stileve të jetës që e dallojnë qytetin, regjimet i mbajnë njerëzit në fshatra, duke i ndarë në qendra të vogla lehtësisht të kontrollueshme.

Kështu Enver Hoxha lëshoi sloganin “ta bëjmë fshatin si qyteti”, por në të vërtetë ka vepruar vetëm nga ana e jashtme. Fshatra të bukur me shtëpi prej guri, të rrethuar nga një natyrë spektakolare (Përmet, Pogradec, Sarandë, Tepelenë, etj.) kanë qenë shkatërruar me pallate të shëmtuara të regjimit, që kanë prishur harmoninë e peisazhit dhe në të njëjtën kohë nuk kanë çprovincializuar mentalitetin e banorëve. Sipas së njëjtës “logjikë”, procesi i urbanizimit konsistonte thjesht në importimin në qytet të njerëzve nga fshatrat, pa transformuar stilin e jetës së tyre. Pra, qytetarët e rinj rikrijonin brenda pallateve dhe lagjeve të njëjtat dinamika sociale që më parë rregullonin fshatrat: çdo pallat, çdo lagje bëhej një fshat i ri i vogël, i banuar nga njerëz që vinin nga çdo anë e Shqipërisë, por me mentalitet, zakone dhe vlera të gjitha të njëjta.

Nga ky urbanizim vetëm fizik por jo psikologjik ka rrjedhur ruajtja e familjes me tre breza nën të njëjtën çati, nevoja për të krijuar lidhje me të gjithë komshinjtë, kënaqësia për të qenë të njohur nga i gjithë qyteti dhe zakoni i ushtrimit të një kontrolli të hekurt social në jetën e lagjes, duke kritikuar dhe ostracizuar “delet që dalin nga tufa”. Pra, qytetet kanë qenë të transformuara në fshatra të mëdha, ku të gjithë jetonin në mënyrë homogjene dhe larmia liberale urbane ishte rreptësisht e ndaluar. Ndokush do të thotë sigurisht se faji është i komunizmit. Por atëherë përse të gjithë janë dëshpëruar kur demokracia ka sjellë me vete ardhjen e imigrantëve nga zonat rurale? Përse “durrsakët e vjetër” ankohen se nuk njohin më komshinjtë dhe se nuk përshëndeten më rrugëve? Përse, kur u krijua pak kaos – dhe pra okazioni për më shumë liri sociale – qytetarët u mbyllën në vetvete, duke u ndjerë të kërcënuar nga rritja demografike dhe nga “fytyrat e reja”? Përse qytetet provinciale – si edhe Durrësi – jetojnë akoma në mënyrë të standardizuar?

Fatkeqësisht konceptet e “qytetarisë” dhe të “qetësisë” (shumë e dashur në qytetin tonë) nuk mund të bashkëjetojnë, madje, janë të kundërta. Në njëzet vitet e fundit, Bashkimi Europian i ka dhuruar fonde të gjithë qyteteve provinciale të Kontinentit të Vjetër për t'i investuar në qendrat historike, jo vetëm në nivel estetik, por sidomos në nivel të ringjalljes së jetës sociale. Sloganet e këtyre projekteve janë: “Një qytet europian nuk shuhet gjatë natës”; “Një qytet i heshtur është i trishtë dhe jo tërheqës”; “Zhvillimi nuk është ndërtimor, por vjen nga ardhja e studentëve dhe e të rinjve të gjallëruar”; “Po jetës në qytet, jo transferimit në lagje rezidenciale”, etj. Dhe atëherë e përseris: ku pozicionohen qytetet shqiptare dhe sidomos Durrësi? A mund të konsiderohen qytete europiane, në kërkim të lirisë individuale, të larmisë së stilit të jetës dhe të anonimisë së çmuar që vjen nga mos njohja e komshinjve? Apo janë akoma të lidhur, megjithë rritjen demografike dhe ekonomike, me skemat orientale të “qetësisë” dhe të kontrollit social? Një gjë është e sigurtë: ideja shqiptare e “qytetarisë” dhe mënyra për t'u ndjerë “qytetarë” është shumë, shumë e ndryshme nga ajo perëndimore.

Në botën perëndimore, individualizmi mbetet vlera kryesore urbane. Qytetari është i lirë nga shtypja e rretheve familjare dhe nga normat morale të komunitetit, është i lirë të lëvizë pa u dukur dhe të frekuentojë njerëz të ndryshëm, është i lirë të planifikojë apo të rindërtojë ekzistencën e vet. Ky stil jete është i mundur nga numri i madh i banorëve dhe nga kontakti me kultura e zakone të ndryshme. Kështu arrihet në atë “indiferencë pozitive” që frymëzon sjelljet e vërteta urbane, duke çuar qytetarët që të shikojnë punët e tyre dhe jo ato të të tjerëve…