Mendoni se aknet hormonale duhet të zhduken pas adoleshencës? Jo domosdoshmërisht. Shpërthimet e lidhura me hormonet mund të shfaqen edhe në moshë madhore dhe janë veçanërisht të zakonshme te gratë.Aknet hormonale shfaqen shpesh rreth faqeve dhe nofullës dhe mund të shoqërohen me pika të zeza, pika të bardha, ciste, yndyrë të tepërt, inflamacion dhe ndjeshmëri të lëkurës.

Çfarë i shkakton aknet hormonale?
Sipas dermatologes Natalia Spierings, shpërthimet ndodhin kryesisht kur gjëndrat dhjamore bëhen më të ndjeshme ndaj androgjeneve. Këto hormone ndikojnë në rritjen e gjëndrave dhjamore dhe në prodhimin e yndyrës së lëkurës.

Ndjeshmëria ndaj hormoneve ndryshon nga një person te tjetri dhe mund të ndryshojë edhe me kalimin e moshës. Për më tepër, përdorimi i tepërt i produkteve kozmetike mund ta irritojë lëkurën dhe t’i përkeqësojë aknet.

Pse mund të shfaqen edhe te të rriturit?
Ndryshimet hormonale para menstruacioneve, stresi, mungesa e gjumit, dieta dhe përdorimi i makeup-it janë disa faktorë që mund të lidhen me përkeqësimin e akneve.

Nuk ekziston një moshë e përcaktuar në të cilën aknet hormonale duhet të ndalojnë. Disa gra mund t’i kenë në të 20-at, 30-at apo edhe pas menopauzës.