Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e kësaj të hëne në Roskovec, Fier. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor rural Marinzë-Suk 1, ku dy automjete tip “Benz” janë përplasur me njëra-tjetrën.
Si pasojë e goditjes së fortë, janë dëmtuar mbi 30 krerë dele, ndërsa çobani që po i shoqëronte ka mbetur i plagosur rëndë.
Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Ndërkohë, të dëmtuar kanë mbetur edhe drejtuesit e dy automjeteve, të cilët po marrin ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë e përplasjes fatale.