Dy fëmijë janë aksidentuar pasditen e sotme në rrugët rurale të Dibrës, ndërkohë drejtuesit i automjetit që shkaktoi aksidentin është arrestuar nga Policia e Dibrës.
Në një njoftim për shtyp, policia informon se në aksin rrugor Dohoshisht-Luzni, në një dishezë kanë qenë duke lëvizur në një biçikletë dy të mitur, konkretisht shtetasi B. D., dhe M. D., 12 vjeç.
Ndërsa një mjet tip “Renault”, me targa AA 035 FP, me drejtues shtetasin me inicialet F. K., ka qenë duke u ngjitur në malore.
Dy të miturit nuk kanë arritur të mbajnë ekuilibrin dhe të frenojnë biçikletën dhe për pasojë janë përplasur me mjetin “Renault” që ishte në ngjitje (në foto makina e përfshirë në aksident).
"Drejtuesi i mjetit është përpjekur të shmangë përplasjen, por nuk ia ka dalë dot mbanë. Të dy fëmijët janë përplasur me kofanon dhe xhamin e parë të mjetit", thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se drejtuesi i mjetit u ka dhënë ndihmën e parë duke i dërguar menjëherë në spitalin e Peshkopisë për ndihmë mjekësore, si dhe ka njoftuar Policinë për aksidentin e ndodhur.
Shtetasi M. D., është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar, ndërsa shtetasi tjetër i mitur B. D., ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet në spitalin e Peshkopisë.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar ne polici për veprime të mëtejshme.