

Aksioni. Shkatërrohen 120 kasolle për gjueti rosash në Bisht Kamëz
Foto-reportazh nga Mark Brunga*
DURRËS, 24 tetor 2013 – Gjuetia pa kritere dëmton rëndë faunën e egër në Durrës. Për të minimizuar këtë fenomen, ditën e martë, më 22 tetor 2013, është ndërmarrë një aksion i përshkallëzuar për të shkatërruar dhe deri djegur rreth 120 copë usheza të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdetin e lagunave të Bisht Kamzës të komunës së Katundit të Ri, ku bëjnë pjesë fshatrat Jubë, Katund i Ri, Qerret, Fllakë, Sukth i Ri, Erzen, Bisht-Kamëz, Rinia, Adriatik.
MASAKËR
120 copë usheza (ushezë: kasolle e vogël që ndërton gjahtari me degë e me gjethe për t’u fshehur e për të pritur gjahun; pritë, pusi) të paligjshme ishin radhitur në një distancë prej 9 km në vijë lineare të bregdetit të Bisht Kamzës në Durrës. Kjo zonë është e mbuluar me pemë dhe ujëra që futen në thellësi në formë mikro-gjiresh dhe që përbëjnë një terren mjaft të favorshëm gjuetie të shpendëve të egra, sidomos të rosës migratore / shtegtare. Për ta bërë sa më komode këtë gjueti, ishin ndërtuar edhe një sasi mjaft e madhe ushezash. Madje, shumë prej tyre ishin ngritur ditët e fundit, pasi kishin bimësi me ngjyrë të gjelbër ende të patharë mbi to. Kreu i shoqatës së gjuetarëve të Durrësit “Pali Rroço” Asti Hanxhari tha se këto objekte nuk lejohen më, pasi “gjuetia” nuk është gjueti. Bëhet masakër mbi shpendët, sepse përdoren edhe regjistratorë. Në shumë prej tyre ishin bërë edhe pajisje me soba për të ndenjur ngrohtë gjatë gjithë natës. Kreu i policisë pyjore të qarkut të Durrësit Haxhi Bici, lidhur me këtë nismë, tha se është hartuar një plan i përbashkët me shoqatën e gjuetarëve si dhe policinë e rendit në zonën e Bisht Kamzës për ta eleminuar tërësisht këtë praktikë gjuetie.
TREGTI ME RESTORANTET
Nga dita e merkurë, sipas Bicit, pas këtij aksioni, zonat e gjuetisë së bregdetit të Durrësit do të jenë të çliruara nga praktikat abuzive të gjuetisë me usheza, në të cilat bëhet gjueti masive e jashtë cdo lloj kontrolli. Hanxhari tha se kontrollet e përbashkëta bëhen 5 deri ne 6 herë në sezon. Gjuetia është një pasion, por nuk duhet lejuar që ajo të degradojë në gjueti për të vrarë masivisht dhe më pas të bëhet tregti me to. Numri i shpendëve që gjuhen duhet të jetë i kufizuar. Ndërsa kohët e fundit në zonat e Durrësit ka filluar të lulëzojë gjuetia për të bërë tregti. Shumë gjuetarë gjuajnë dhe shesin prodhimet e tyre në restorante. Drejtori i Pyjores Abdulla Tuda tha “se këto kontrolle bëjnë pjesë në punën parandaluese. Duke filluar nga e hëna e çdo jave do të kontrollohet rigorozisht edhe sasia e ditëve kur gjuhet, pasi normativa është 3 ditë në javë dhe jo gjatë gjithë javës. Për këtë do të ketë kontrolle rigoroze dhe masa të ashpra deri në bllokimin e armëve të gjuetisë kur përdoren jashtë kuadrit ligjor”. Hanxhari shton se gjuetarët janë mësuar të shkelin ligjet, por tashmë kjo nuk do të tolerohet, pasi gjërat do të precipitojnë deri në ndjekje ligjore.
PRITEN NDRYSHIME RREGULLASH
Në aksionin shkatërrimit të ushezave të gjuetisë së paligjshme, që ushtrohet në bregdetin e Durrësit, ka marrë pjesë edhe Thimi Perri, sekretari i përgjithshëm i konfederatës së gjuetisë shqiptare. Ai tha se tashmë, si rezultat i gjuetisë që ushtrohet, shpendët shtegtarë vetëm sa kalojnë mbi territorin tonë, pasi i presin grykat e çifteve, të cilat janë të shumta. Sipas Perrit, ka dhe një numër mjaft të madh armësh gjahu pa lejë, të cilat e kalojnë numrin e atyre që janë me lejë. Dhe kjo ndihmon në masakrën e faunës sonë, e cila ka shkuar drejt degradimit. Ndërkohë edhe gjahtarët e Durrësit ndjehen të konkurruar nga ky fenomen. Nëse një armë gjahu, shprehen ata, është edhe me leje, atë e përdorin edhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes pa kriter, gjë që është shoqëruar edhe me aksidente si plagosje etj. Në qarkun e Durrësit, sipas tyre, janë rreth 19 000 armë gjuetie. Gjuetarët shpjegojnë se gjuetia lejohet vetëm në tri ditët e fundit të javës: e premte, e shtunë dhe e diel, ndërsa gjuetarët e zonave rurale kryesisht ketë aktivitet e ushtrojnë gjatë gjithë javës. Një problem është edhe gjuetia me armë pa lejë, pasi gjuetarët dyshojnë se ka armë të tilla në komunitet, duke u nisur edhe nga fakti se policia e Durrësit në shumë raste ka arritur të sekuestrojë në banesa armë të tilla pa lejë. Sipas Thimi Perrit, në Ministrinë e Mjedisit janë zhvilluar konsultime mbi ndryshimet e pritshme të rregullave të gjuetisë.
* Korrespodent i Durrësit i të përditshmes “Shekulli”. Shkrimi dhe fotot janë dërguar nga autori.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme

Të fundit

Papa propozon Vatikanin si vend për negociata mes Rusisë dhe Ukrainës: Mund të sigurojmë Selinë e Shenjtë në takim të drejtpërdrejtë

Një foto zbulon sa shpejt po plakeni, Inteligjenca Artificiale mat moshën biologjike

“BE kritike për zgjedhjet” – Gazetari i Reuters pyet Ramën, kryeministri: Ishin shprehje e vullnetit të popullit shqiptar 100%, ka ende nevojë për përmirësime! Nuk jemi Danimarka

Interi fillon bisedimet për të nënshkruar me yllin e Atletico Madridit
