Aktori i mirënjohur Xhevdet Feri u nderua një natë më parë me titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” (pas vdekjes).

Në një aktivitet të zhvilluar në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq të mjeshtrit të filmit dhe teatrit, artistit të madh, profesorit dhe qytetarit fisnik, sollën mes emocionesh kujtimet e shumta që kanë ndarë ndër vite me Xhevdet Ferin.

Pjesëmarrësit që e morën fjalën vlerësuan figurën shumëdimensionale të aktorit durrsak, i cili ishte një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar.

“Zoti ia kishte dhënë të gjitha parametrat maksimalë Xhevdetit, por mbi të gjitha logjikën dhe intuitën që këto vlera t’i përdori me shumë maturi”,– tha aktori Ali Bega, njeriu i parë që e përfshiu Xhodën në botën e artit, kur ishte vetëm 17 vjeç.

Pavarësisht se jetoi për shumë vite në Tiranë, Xhevdeti i pati mjaft të forta lidhjet me qytetin e lindjes.

“Xhevdeti u bë ambasadori i Durrësit në Tiranë, ku ai bëri një karrierë shumë të bukur dhe të famshme. Të gjitha karakteristikat që i takojnë njeriut, Xhevdeti i kishte me notën 10”,– tha ndër të tjera regjisori Haxhi Rama.

“Xhevdeti ishte një fytyrë e bukur e Durrësit. Përveç titullit “Qytetar nderi”, qyteti i Durrësit mund të kishte edhe një rrugë që të mbante emrin e tij”,– tha miku dhe kolegu i tij në shumë filma, Ndriçim Xhepa.

“Ishte një nga njerëzit dhe luftëtarët më të mëdhenj përsa i përket artit shqiptar në kinematografi dhe në sajë të tij janë shumë gurë themeli të vendosur në të. Ai ishte i bekuar nga zoti me një shpirt shumë të madh, që e tejkalon atë që quhet artist”,- tha kineasja Anila Varfaj.

Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar nderi” përkoi me 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të Xhevdet Ferit. Kryebashkiakja Sako duke vlerësuar rrugëtimin e tij në teatër dhe kinematografi i dorëzoi vajzës së tij titullin e dhënë nga Këshilli Bashkiak.

“Në Shqipëri nuk kemi ende traditën e bulevardit të yjeve, por kur të vijë momenti që do të ideohet apo ndërtohet, ylli i Xhevdet Ferit do të jetë aty për karakteret brilante me thellësi njerëzie brenda tyre, për emancipimin e kinemasë shqiptare, për gjithçka që na ka dhënë e na ka lënë dhe që është me peshë dhe me vlerë sot e ngahera”,– tha ndër të tjera Sako.

Në fjalën e saj, Bora Feri shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke falënderuar edhe në emër të babait të saj, që e deshi Durrësin, gjatë gjithë jetës.

“Atij nuk i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes, por një nga virtytet që e karakterizonte ishte mirënjohja. Padyshim ai do kishte qenë shumë mirënjohës për të gjithë ceremoninë e sotme”,- tha vajza e aktorit Feri.

Xhevdet Feri u nda nga jeta 4 vite më parë, në moshën 59-vjeçare, ndërsa do të mbahet mend për shumë role të spikatura në kinematografinë shqiptare.

M.B.